Sylvinho dhe Gjimshiti: Shqipëria gati për Serbinë, synojmë fitore
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se skuara shqiptare do të hyjë në fushë në ndeshje me Serbinë për të dalë me pikë të plota.
I shoqëruar nga futbollisti Berat Gjimshiti, braziliani ka mbajtur konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes kundër Serbisë, e cila është e vlefshme për kualifikimet e Botërorit të vitit 2026.
“Serbia është një skuadër e fortë, me lojtarë të fuqishëm fizikisht, por edhe ne kemi Brojën, Manajn, Uzunin, Bajramin… Do të jetë një ndeshje e bukur dhe ne futemi për të marrë tri pikët", ka thënë Sylvinho, duke shtuar se tashmë ka një ide të qartë për formacionin dhe se të gjithë lojtarët janë gati për sfidën.
Trajneri brazilian ka treguar se kishte menduar ta ftonte edhe babain e tij nga Brazili për ta ndjekur nga afër këtë duel të veçantë, por distanca e gjatë ia ka pamundësuar ardhjen.
Ndërkohë, Gjimshiti, ka theksuar se skuadra është plotësisht e përqendruar te fitorja: “Jemi 100% të fokusuar. Duhet të mendojmë vetëm për futbollin dhe për të marrë tri pikët. Kemi pasur kohë të bollshme për përgatitje dhe e kemi studiuar mirë kundërshtarin”, ka thënë ai.
I pyetur për jetën e tij private, për shkak se bashkëshortja e tij është nga Serbia, Gjimshiti ka refuzuar të komentojë. “Jam këtu për futboll, jo për çështje personale”, ka thënë ai.























