Drita shkëlqen në Prishtinë, fiton ndaj Differdange
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 22:03) Skuadra kampione e Kosovës, Drita, ka marrë fitore në përballjen e parë kundër Differdange nga Luksemburgu, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Champions League.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është mbyllur me rezultatin 1-0 në të mirë të gjilanasve.
Pjesa e parë e takimit ka përfunduar pa gola, me një lojë të kujdesshme nga të dyja palët. Përballja ka qenë e përqendruar kryesisht në mesfushë, pa ndonjë rast të pastër për shënim. Drita ka pasur më shumë kontroll mbi topin, por nuk ka arritur të krijojë rrezik serioz në portën e mysafirëve.
Në fillim të pjesës së dytë, Drita është shfaqur më kërkuese dhe ka rrezikuar disa herë portën kundërshtare. Në minutën e pesëdhjetë e dytë, Balaj ka gjuajtur mirë, por topi ka kaluar pranë shtyllës. Dy minuta më vonë, i njëjti futbollist ka pasur një tjetër mundësi brenda zonës, por në vend që të pasonte, ka vendosur të gjuajë vetë dhe goditja e tij ka qenë e plogësht.
Nga ana tjetër, një tentim për skuadren mysafire ka ardhur ë minutën e gjashtëdhjetë e tetë, kur Pinto ka goditur drejt portës, por pa saktësi dhe duke mos e shqetësuar portierin Maloku.
Goli i fitores ka ardhur në minutën e shtatëdhjetë e tretë. Arb Manaj është gjetur brenda zonës, ku ka reaguar shpejt dhe ka goditur saktë për ta dërguar topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Dritës.
Differdange ka pasur disa tentativa për të barazuar, përfshirë një goditje me kokë nga afërsia të D’Anzico-s në minutën e tetëdhjetë e tretë, por Maloku ka reaguar mirë dhe e ka pritur topin.
Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Luksemburg, ndërsa fituesi i kësaj përballje do të përballet në raundin e dytë me skuadrën daneze Copenhagen.
Drita - Differdange, pjesa e parë mbyllet pa gola
Nuk ka gola pas pjesës së parë në ndeshjen Drita - Differdange.
Rezultati i përballjes së kampionit të Kosovës me atë të Luksemburgut në dyzet e pesë minutat e parë ka qenë 0-0.
Dy skuadrat po ndeshen në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë në kuadër të raundit të parë në kualifikimet për Champions League.
Në fraksionin e parë të ndeshjes, loja ka qenë e kujdesshme dhe pa raste të pastra për shënim nga asnjëra skuadër. Ballafaqimi është përqendruar kryesisht në mesfushë, me duele të shumta dhe pak hapësira në zonat ofensive.
Drita ka pasur kontrollin më të madh të topit, por megjithatë, dominimi në posedim nuk është përkthyer në rrezik real për portën kundërshtare.























