Bajrami: Hipokrizi akuzat e VV-së për afërsi me Listën Serbe
RTKlive
(E përditësuar) Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklarimeve të Albulena Haxhiut dhe Hekuran Muratit, duke i quajtur hipokrizi akuzat e VV-së ndaj opozitës për afërsi me Listën Serbe.
“Është hipokrizi me dalë para mediave dhe me na apostrofu neve, kur vetë kanë pasur bashkëpunime, për çka ekzistojnë përgjimet e Mimoza Kusarit me Milan Radoiçiqin për vota”, ka thënë Bajrami.
Ajo shtoi se VV ka pasur mundësi t’i shpallë organizatë terroriste strukturat e Listës Serbe pas sulmit në Banjskë, por nuk e ka bërë. “Është hipokrizi të thuhet se opozita po e mban Kuvendin të bllokuar, kur VV i ka numrat për qeveri, por nuk i ka përzgjedhur nënkryetarët”, theksoi ajo.
(12:32) Bajrami: Mbyllja e seancës nga Basha, shkelje e qartë e Kushtetutës
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se mbyllja e seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha, pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, është shkelje flagrante e Kushtetutës.
“Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapozgjedhur mbylli seancën konstituive pa të drejtë sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca mbyllet vetëm në rastin kur zgjedhet kryetari dhe zgjedhen të gjithë nënkryetarët”, ka deklaruar ajo.
Sipas Bajramit, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e Kosovës, prandaj edhe po ndodh kjo sagë me zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit serb.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, siç e dini, që nga dita e parë ka refuzuar të marrë pjesë në votimin ndaras, për arsye se është e qartë, tashmë edhe në pikën 4 të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku ne urdhërohemi të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit sipas agjendës së dakorduar më 8 prill, ku kanë qenë të përfaqësuara të gjitha partitë parlamentare. Takimi ishte thirrur nga ish-kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, dhe kishte një agjendë të dakorduar,” ka thënë ajo.























