Gërvalla: Krasniqi kandidat tipik i Guxo-s, fjalë pak e shumë punë
V.S|RTKlive
Partia Guxo ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit me prezantimin e kandidatit për kryetar të Malishevës. Bashkëkryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla tha se Valon Krasniqi nga Malisheva është kandidati tipik i partisë Guxo, me pak fjalë, por me shumë punë.
“Kam jo vetëm privilegj, por kam kënaqësi të veçantë, t’u prezantoj një kandidat për kryetar i cili që nga ditët e parë jo të partisë Guxo, por të idesë Guxo më pas të listës Guxo dhe më pas të partisë Guxo ka qenë në radhët e para. Modest, i sinqertë, punëtor, i guximshëm, Valon Krasniqi nga Malisheva është kandidati tipik i partisë Guxo, i dashur për qytetarët, vizionar, i urtë me pak fjalë, por me shumë punë”, tha Gërvalla gjatë prezantimit të tij.
Ndërkohë kandidati Valon Krasniqi i ka paraqitur prioritetet e tij.
“Malisheva është shtëpia jonë e përbashkët. Është vendi ku fëmijët tanë rriten me ëndrra. Ku prindërit tanë presin respekt e përkujdesje dhe ku rinia jonë meriton më shumë mundësi për arsim, punë e zhvillim. Më shumë se kurrë na duhet guxim, vizion e transparencë. Unë e marr këtë përgjegjësi me përkushtim të plotë, duke besuar që vetëm me punë të ndershme dhe me llogaridhënie mund ta kthejmë besimin e qytetarëve. Prioritetet tona janë të qarta, gjelbërimi dhe krijimi i parqeve, që Malisheva të bëhet më e gjallë, më e shëndetshme. Zhvillimi i digjitalizimit dhe kurse për rininë, që ta përgatisim për tregun modern të punës, si dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit”, deklaroi ai.























