Selmanaj premton kujdes për punësim e zhvillim ekonomik në Prizren
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Selmanaj premton kujdes për punësim e zhvillim ekonomik në Prizren

Nora Gjuzi/ RTK

Votën për ta fituar një mandat për ta qeverisur Prizrenin, e kërkoi sot edhe Driton Selmanaj, kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune. Përveç projekteve që do ta përmirësonin jetën e qytetarëve, Selmanaj tha se është shumë e rëndësishme që qeverisja të bëhet me dinjitet, e pushteti të mos shihet si privilegj por si shërbim ndaj qytetarëve.

Në Prizren, LDK hapi fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit. Kandidati për kryetar të komunës, Driton Selmanaj, shpalosi prioritetet e programit qeverisës. Tha se nuk kërkon pushtet për privilegje, por për t’u shërbyer qytetarëve me projekte konkrete.

"Nuk kërkojmë për hir të pushtetit, kërkojmë mundësi që të ju shërbejmë të gjithëve, kërkojmë të kthejmë dinjitetin në çdo zyrë të komunës, kërkojmë që askush të mos ndihet i harruar as në lagje as në fshatë as në skaj të qytetit", tha Selmanaj.

Në fjalën e tij para qytetarëve, Selmanaj theksoi disa nga prioritetet kryesore të programit, duke filluar nga përmirësimi i shërbimeve publike, hapja e vendeve të reja të punës, përfundimin e rrjetit të kanalizimit dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë.

"Do të ofrojmë shërbime shumë të mira për të gjithë qytetarët, do të kemi shumë kujdes për punësim dhe zhvillimin ekonomik për katër vite. Çështja e ujit do të jetë temë e harruar, do të kemi 24 orë ujë të pijes, e gjithë komuna do të jetë me rrjetë të kanalizimit të përfunduar. Arsimi dhe kultura sigurisht që do të jenë në qendër të vëmendjes", shtoi ai.

Duke përmbyllur këtë aktivitet politik, Selmanaj u zotua se me të si kryetar, Prizreni nuk do të mbetet më peng i premtimeve të pambajtura.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025