Rama: Transporti publik po lidhet me çdo lagje dhe fshat të Kryeqytetit
RTKlive
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur zgjerimin më të madh të rrjetit të transportit publik në Kryeqytet, duke përfshirë për herë të parë një numër të madh lagjesh dhe fshatrash që deri më sot nuk kishin shërbim të rregullt me autobusë.
Sipas Ramës, nga tani autobusi do të qarkullojë në lagjet Tasligje, Velania, Bledi, Arbëria, Sofalia, Qëndresa, Nic, Veternik dhe Zllatar, ndërsa shërbimi do të shtrihet edhe në fshatrat Marec, Vitia e Marecit, Siqeva, Kolovica, Zllash, Ballaban, Nishec, Gllogovicë, Llabjan, Slivov, Shkabaj, Drenoc dhe Prugoc.
“Kryeqyteti ka marrë frymë të re në lëvizje. Me këtë zgjerim, çdo qytetar, qoftë në lagje apo në fshat, ka tashmë qasje të drejtpërdrejtë në transportin publik,” deklaroi Kryetari Rama.
Në kuadër të këtij projekti janë funksionalizuar: 30 linja të reja të transportit publik, 172 autobusë modernë, me frekuencë çdo 7 minuta në linjat kryesore.
Ky hap, sipas Komunës së Prishtinës, do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, do të ulë përdorimin e automjeteve private dhe do të kontribuojë në një mjedis më të pastër e më të qëndrueshëm për Kryeqytetin.























