Nagavci viziton Vërbocin, mbështet Tërdevcin për kryetare të Drenasit
RTK
Arbërie Nagavci, deputete e Vetëvendosjes, vizitoi sot fshatin Vërboc të Drenasit, duke i dhënë mbështetje Egzona Tërdevcit, kandidates së kësaj partie për kryetare të komunës.
Në fshatin Vërboc të Drenasit qëndroi sot Arbërie Nagavci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht ministre në detyrë e Arsimit. Ajo i dha mbështetje Egzona Tërdevcit, kandidates së kësaj partie për kryetare të komunës. Nagavci tha se Drenasi do të përjetonte ndryshime nëse në krye të komunës vjen kandidatja e Vetëvendosjes.
Ndërkaq, kandidatja për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, tha se bashkë me ekipin e saj do të jenë të hapur për të gjithë qytetarët. Ndër prioritetet e saj është fusha e arsimit, duke premtuar ndërtimin e pesë çerdheve të reja publike dhe ndërtimin e poliklinikës për shërbime specialistike.
Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe investime të tjera, si uji i pijshëm, trotuarët, ndriçimi publik dhe mbështetja ndaj fermerëve. Në bisedën me banorët e Vërbocit u prezantua edhe Kastriot Kastrati, kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal.























