Nisma shpalos programin në Ferizaj
Arlinda Sejda |RTK
Në tubimin elektoral të Nismës Socialdemokrate në Ferizaj, Fatmir Limaj, kryetar i kësaj partie, tha se bartësi i listës së Nismës në Ferizaj bart vlera të larta kombëtare. Siç tha Limaj, Nehat Mustafa është kontribuues i madh për liri e shtet-ndërtim, ekspert i zhvillimit të arsimit, ndërsa kërkoi mbështetje për të gjithë kandidatët për asamble komunale në Ferizaj.
"Djem e qika, më shumë se Nehati, e ju të rinj më shumë jeni UÇK, ju se keni jetuar me lirinë më shumë se ne. Kosova dhe shteti ynë ka me u forcu aq sa e meriton. Askush nuk ka me na trajtu nëse nuk punojmë, aq sa e respektojmë shtetin, punojmë për të, aq na nderojnë. Shteti nuk është i përjetshëm nëse qytetarët nuk e mbështesin. Bashkohuni rreth njerëzve që kanë vepra. Ferizaj e ka fatin që kemi një djalë që nuk ka në Kosovë një njeri që e njeh më mirë arsimin në Kosovë se Nehat Mustafa. Kur flet Nehati për arsimin është sikur të flasë për fëmiun e vet. Ne jemi disa njerëz që angazhohemi duke i ndjerë. Nehati i duhet Kosovës për të qeverisur në nivel Kosove me arsimin", tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.
Ndërsa Nehat Mustafa, kryetar i degës së Nismës Socialdemokrate në Ferizaj dhe bartës i listës së Nismës në këtë komunë, theksoi se në këto zgjedhje janë orientuar në tre pika të platformës, të bazuar në profilet e kandidatëve, si prioritet arsimin me fokusin, ngritjen e cilësisë në arsim, transparencën dhe llogaridhënien përmes takimeve të rregullta me qytetarët, dhe përkrahjen e të rinjve me përfshirjen e tyre në aktivitete, punë praktike dhe pjesëmarrje në gara të ndryshme.
"Njëra nga objektivat tona është krijimi i qendrës komunale për zhvillim në arsim që nuk e ka asnjë komunë. Do të bëjmë përpjekje maksimale ta realizojmë. Ne do të jemi ata që do të insistojmë që të kemi transparencë dhe investime, ta dinë qytetarët ku po investohet dhe të ketë llogaridhënie. Ne kemi një njeri që ka ndërtuar një autostradë. Kur ka përgjegjësi si Fatmir Limaj, do të ketë suksese. Jam i bindur që Nisma do të jetë forcë në asamblenë komunale, ne përfaqësojmë vlerë", tha Nehat Mustafa, bartës i listës Nisma Socialdemokrate Ferizaj.
Kryesuesi i listës, Nehat Mustafa, prezantoi 15 kandidatët për asamble komunale që përfaqësohet me shumicë gra.























