Rama: Kryeqyteti tashmë është në prag të një transformimi
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Rama: Kryeqyteti tashmë është në prag të një transformimi

Qendresa Duraku| RTK

Aktivitete elektorale LDK ka mbajtur në mbrëmje edhe në Prishtinë. Me qytetarë e mbështetës në lagjen e spitalit, kreu i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka folur për programin që ofron kandidati i tyre për kryeqytetin Përparim Rama, duke u fokusuar tek arsimi e po ashtu edhe investime për transformimin e lagjeve.

Në këtë tubim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi kryeqytetin si qendrën e betejës politike dhe vuri theksin te rëndësia e arsimit. Ai u zotua se, nëse LDK-ja fiton mandatin, të gjitha shkollat e Prishtinës do të kalojnë në mësim tërësor ditor, duke e quajtur këtë një reformë karakteristike dhe revolucionare të qeverisjes së partisë së tij.

“Katër vjet më parë e kemi nisur një rrugëtim shumë të vështirë, por që ia kemi arritur, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm dhe falë njeriut që sot qëndron në krye të Prishtinës. Jemi me fat që e kemi kandidat, që e kemi kryetar të Prishtinës, jemi me fat që do ta kemi edhe katër vjet kryetar të Prishtinës”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së

"Nga ndjenja personale që kam me të, nga njoftësia e afërt e di sa shumë e don Prishtinën, e di sa shumë punon për këtë Prishtinë, e di çfarë punëtori është e mbi të gjitha çfarë vizioni ka për Prishtinën. Kjo është vlera kryesore që e ka kandidati ynë, kjo është vlera kryesore që e ka LDK."

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti tashmë është në prag të një transformimi.

'Rruga A që ka qenë ndoshta një projket që askush nuk ka besuar që mundemi me fillu e lëre më tash që po e përfundojmë. Problemi i kolektorit të gjithë e dini që jeni të kësaj zone që keni kalu prej rrugës B te rruga A që ka kundërmuar ajri i keq që ka qenë edhe i keq në aspektin e shëndetësisë edhe në aspektin e eksperiencës një gjë shumë negative. Sot e kemi të përfunduar kolektorin, sot po përfundon rruga A, rruga A po lidhet me rrugën B”, tha Përparim Rama, kandidat I LDK-së për komunën e Prishtinës.

Rama u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës, me synimin për fitore pa balotazh. Takimi u mbyll me prezantimin e disa prej kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025