Ismaili: Koha për qeverisjen e PDK-së në Prishtinë ka ardhur
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Ismaili: Koha për qeverisjen e PDK-së në Prishtinë ka ardhur

Elmina Osmani/RTK

Fushatën elektorale, Uran Ismaili, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, sot e vazhdoi në kryeqytet, konkretisht në takim me banorët e lagjes Kalabria. Përveç disa projekteve që prekin direkt jetën e tyre, si ai i përfundimit të kolektorit, ai foli edhe për projektet e tij në nivel komunal si çerdhet, parqet, shkollave e shesheve.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, mbajti tubim elektoral me banorët e Lagjes Kalabria në kryeqytet. Derisa shpalosi programin para banorëve të kësaj lagjeje, Ismaili shprehu bindjen se tani ka ardhur koha për qeverisjen e PDK-së në Prishtinë, prandaj premtoi se votën do ta përkthejë në punë e përgjegjësi në të mirë të banorëve të Kalabrisë dhe Prishtinës.

“Ky është udhëkryqi i madh. 25-vjeçari, përvoja jonë me Prishtinën apo diçka e re, një kohë më e re, një kohë e mirë, një kohë për Prishtinën, në të cilën qyteti është funksional”, tha Ismaili.

Në këtë takim me elektoratin e tij, Ismaili foli edhe për sheshin “Xhorxh Bush” punimet në të cilin janë bllokuar. Ai premtoi rregullimin e hapjen e tij, e gjithashtu edhe investime të shumta në transport publik e rrugë.

“Zero leje të reja të ndërtimit në gjashtë muajt e parë. Unë nuk besoj në idenë që një politikan duhet mi dhanë do premtime edhe me thanë me juve e kam kryer sepse ti je në shërbim gjithmonë për ata qytetarë. Çdo fëmijë që shkon në shkollë nuk do të kalojë në rrugë kryesore. Asnjë fëmijë nuk do ta ketë shkollën më larg se pesë minuta. Unë nuk besoj në idenë që një politikan të japë vetëm premtime por të punojë non-stop. Ndërtimi i çerdheve, shkollave, ndërtimi i qendrave të mjekësisë familjare, ndërtimi i dy parqeve, çdo shtëpi apo banesë nuk do ta ketë parkun më larg se 300 metra. Përfundimi i kolektorit në Lagjen Kalabria. Ndriçim në çdo rrugë dhe hapësirë publike. Trajtimi i pabarazive mes lagjeve. 100 autobusë të rinj”, tha Ismaili.

Mes tjerash, ai premtoi edhe ndërtimin e parkut jugor të Prishtinës prej 12 hektarëve, shndërrimin e Stacionit të Autobusëve në Qendër Multimodale të Transportit e ndërtimin e një qendre komunitare kulturore.

“Në qoftë se nuk arrij t’i realizojë 90 përqind të këtyre që i prezantova dhe i kam premtuar, Uran Ismaili mandat dhe votë nuk lyp ma kurrë”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, kandidati I PDK-së për kryetar të Prishtinës, kërkoi votën e banorëve të lagjes Kalabria edhe për kandidatët për Kuvend Komunal, me premtimin se ata do të jenë zëri i tyre.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025