Lladrovci para banorëve të Gllobarit shpalosi projektet e tij
Hana Marteti /RTK
Me premtimin se do të punojë edhe më shumë në mandatin e tij tjetër si kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kandidat për kryetar nga iniciativa ‘Për Drenasin Kampion’, mbajti tubim elektoral me banorët e fshatit Gllobar. Ai tha se projektet dhe planet e tij do t’i japin pamje të re këtij qyteti, kurse komunës në tërësi do t’i sjellin ndryshime.
Kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, nga iniciativa ‘Për Drenasin kampion’, vazhdoi sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit, duke biseduar me banorët e fshatit Gllobar.
Para tyre, Lladrovci, i cili kërkon edhe një mandate në krye të kësaj komune, fillimisht shpalosi arritjet dhe projektet e realizuara prej tij gjatë mandatit katër vjeçar në Drenas. Njëkohësisht, ai prezantoi edhe të tjerat për të cilat u shpreh se do t’i realizojë gjatë katër viteve të ardhshme.
“Unë e di që kanë mbetur disa rrugica pa e dërguar ujin në Gllobar, sepse pozita ka qenë e atillë që nuk na ka dhanë mundësi... por edhe ato pak gjana që kanë mbetur, kemi me i krye edhe në dy lagje që akoma nuk i kemi vendosur dritat, kemi me i vendosur”, tha Lladrovci.
Kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha para banorëve të fshatit Gllobar se në ekipin e tij dhe kandidatët për Kuvend Komunal, ka të rinj premtues që vijnë nga profesione të ndryshme.
Kur foli për fshatin Gllobar, ai shtoi se janë vetëm disa nga rrugët e tij që kanë mbetur pa u rregulluar, e të cilat premtoi se edhe ato do të rregullohen sapo të zgjidhet sërish kryetar I Drenasit.
Në këtë tubim, Lladrovci premtoi se ashtu sikurse në mandatin e kaluar, qytetarët e Drenasit do të vazhdojnë të jenë prioritet i tij.























