Haradinaj: Me Besnik Krasniqin Prizreni do të ketë ndryshim
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Haradinaj: Me Besnik Krasniqin Prizreni do të ketë ndryshim

Nora Gjuzi/ RTK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbajti tubimin zgjedhor në Prizren. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, tha se kandidati për kryetar të komunës nga ky subjekt politik, Besnik Krasniqi, ka hyrë në garë me qëllim e vizion të qartë, për t’i dhënë Prizrenit një qeverisje dhe ndryshim. Në këtë tubim elektoral, kandidati për kryetar komune, Besnik Krasniqi, shpalosi disa nga projektet e tij e ku objektivat kryesorë janë fushat si shëndetësia, arsimi, bujqësia, turizmi dhe mjedisi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zhvilloi tubimin elektoral të radhës në qendër të Prizrenit. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili në mesazhin e tij për qytetarët, u bëri thirrje që të qëndrojnë të bashkuar dhe të jenë pjesë aktive e ndryshimit në zgjedhjet e 12 tetorit. Sipas tij, ky ndryshim vjen duke votuar AAK-në dhe kandidatin e kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqin.

“Ky koncept i së vërtetës e bën kandidimin në mënyrë të vërtetë përmbajtësor. Pra, jo vetëm një kandidim sipërfaqësor, veç sa për sy e faqe. Mënyra si shpjegohen të gjitha këto, por edhe slogani ‘Pak Pallavra’, unë mendoj se janë një lloj sigurie për ju, për votën tuaj. Nëse e votojmë numrin 174 më 12 tetor, e votojmë Besnikun dhe secilin në këtë listë. Pra, keni bërë veprimin e duhur në shërbim të një qeverisjeje më të mirë në komunën tuaj, një qeverisje që është e juaja, që është serioze, që merret me tema reale. Një qeverisje në të cilën do ta keni gjithmonë dikë për çdo shqetësim tuajin”, tha Haradinaj.

Kryetari i AAK-së tha se drejtimi i Prizrenit nuk është vetëm një detyrë politike, por një përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve dhe historisë që mban ky qytet. Duke folur për kandidatin e këtij subjekti politik për kryetar të Prizrenit, Haradinaj u shpreh se këtë detyrë, Krasniqi do të bëjë me shumë përgjegjësi.

“Kryetari i Prizrenit vërtet është një nder, një privilegj, por po ashtu edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Prandaj, ju lutem, mos e harroni këtë. Ka mënyra të lehta për të bërë punë sipërfaqësore me u dukë bukur, me u paraqit hijshëm, por nëse e do atë punë dhe e respekton, e bën me zemër. Kandidimi i Besnikut tregon se ai e ka marrë me zemër dhe me përgjegjësi këtë kandidaturë. Andaj po ju lus që në këtë frymë të vazhdoni deri më 12 tetor”, theksoi Haradinaj.

Përkrah liderit të AAK-së, Haradinaj, në skenë doli edhe kandidati i kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, i cili prezantoi vizionin e tij për të ardhmen e qytetit. Efikasiteti në shërbimet publike dhe reformat në disa sektorë, ishin disa nga projektet që ai paraqiti para qytetarëve të kësaj komune.

“Jemi duke u munduar që ta kemi një sistem të integruar në komunën tonë, i cili do të jetë fryt i digjitalizimit të shërbimeve komunale në tërësi, duke përfshirë edhe digjitalizimin e shëndetësisë primare dhe të arsimit në komunën tonë”, tha Besnik Krasniqi, kandidat për kryetar të Prizrenit nga AAK.

I bindur në fitore e tij dhe mbështetjen e prizrenasve për të më 12 tetor, Krasniqi theksoi se Prizrenin në të ardhmen  e shikon si një qytet që rrah me zemrën e gjallë dhe që i ruan rrënjët historike të tij.

“Prizrenin që unë e shoh pas katër viteve është një qytet i gjallë, i lidhur mirë, i qëndrueshëm dhe i ruajtur historikisht. Një qytet ku jetohet, punohet dhe vizitohet me krenari anembanë Kosovës”, shtoi ai.

Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga AAK-ja, duke përcjellë mesazhin se ndryshimi i kësaj komune fillon me vetë qytetarët dhe votën e tyre më 12 tetor.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025