Abdixhiku: Me Xhafer Gashin kryetar, komuna e Obiliqit do të jetë shembull
Hana Marteti/RTK
Shumë projekte janë realizuar e shumë të tjera do të realizohen, nëse i jepet besimi edhe për një mandat katërvjeçar, Xhafer Gashit, kandidatit për kryetar të Obiliqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky vlerësim për të u dha sot në tubim elektoral nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili Gashin e quajti mbi të gjitha edhe njeri të besës. Nga ana e tij, Gashi tha se gjatë mandatit të kaluar janë kryer shumë projekte, por edhe mjaft të tjera pret që t’i realizojë.
Obiliqi ishte ndalesa e radhës e drejtuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit, kërkuan përkrahje me votë nga qytetarët. Mes tjerash, në këtë tubim, u shpalosen të arriturat e qeverisjes së LDK-së në Obiliq për 4 vitet e kaluara dhe gjithashtu u prezantua edhe programi për qeverisjen e ardhshme. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, premtoi se me Xhafer Gashin sërish kryetar, Obiliqi do të jetë shembull edhe për komunat tjera.
“Sonte vijmë me plot bindje dhe përgjegjësi se Obliqi ka nevojë për kujdes më shumë se çdo qytet. Ky qytet është motori energjetik, për këtë arsye Obliqi meriton projekte të mëdha, meriton përkujdesjen më të madhe të krejt Kosovës. Obiliqi meriton një kryetar punëtor, e meriton njeriun tuaj, e meriton Xhafën tuaj. Me Xhafer Gashin në krye kjo komunë ka parë një kryetar që ka punuar ditë e natë për qytetarin e tij. Janë rinovuar sheshe e parqe, janë ndërtuar shkolla, janë përmirësuar kushtet për nxënës e mësues, janë bërë ndryshime në infrastrukturë e shëndetësi. Për çdo sferë është përkujdesur Xhafa me ekipin e tij. Ne e njohim si kryetar përgjegjës, kryetar kampion”, tha Abdixhiku.
Duke e përshkruar Xhafer Gashin, kryetarin aktual të Obiliqit, i cili kërkon edhe një mandat tjetër në krye të kësaj komune, kreu i LDK-së tha se ai është njëri i punës dhe besës, i vendosur që të çojë përpara planet e shumta në të mirë të qytetarëve.
“Xhafa është njeri i punës e i besës, është kryetar që ka ditur të çojë përpara qytetin, prandaj qyteti më 12 tetor do t’i thotë Xhaferit e LDK-së ‘Po’”, shtoi kreu i LDK-së
Me moton ‘Obiliqi përtej’, kandidati për kryetar të kësaj komune, Xhafer Gashi kërkoi besimin e qytetarëve edhe për një mandat. Ai shprehu bindjen se janë bërë shumë punë të mira gjatë qeverisjes së tij.
“Ndërtuam shkolla, parqe dhe i kushtuam rëndësi zhvillimit ekonomik. Në zonën industriale u hapen 20 biznese që mundësuan mbi 400 vende pune. Ky është një sukses për arkën e shtetit, e ku në 15 komuna është më i veçanti. Kabinetet janë pasuruar, kemi subvencionuar shume studentë, janë mbuluar shpenzimet e udhëtimit për të gjithë nxënësit. Shëndetësia është prioritet. Kultura, rinia e sporti kanë marrë hov të madh. Biblioteka e klubet sportive janë mbështetur në gara kombëtare e ndërkombëtare”, tha ai.
Gashi u shpreh i bindur në fitoren e tij më 12 tetor, prandaj edhe tha se ka projekte konkrete që i ka paraparë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Qeverisja jonë bazohet në qeverisje transparente, për të gjithë, bashkë do t’i zgjedhim projektet, do t’i mbikëqyrim e do t’i gëzojmë. Gjithsej i kemi 126 projekte, e kryesori për mandatin e ardhshëm është nxehja qendrore, që ka impakt në jetesën e të gjithëve. Pastaj, ndërtimi i pishinës gjysmëolimpike, ndërtimi i qendrës rehabilituese për fëmijët me nevoja të veçanta, mbështetja për rini e sport, subvencione për gratë në biznes, ndërtimi i katit të dytë të shtëpisë së pleqve etj”, shtoi ai.
Në këtë tubim elektoral u prezantuan gjithashtu edhe disa nga kandidatët për Kuvend të Komunës së Obiliqit nga LDK-ja.























