Klina me potencial të madh, LVV premton investime dhe zhvillim
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Klina me potencial të madh, LVV premton investime dhe zhvillim

RTK

Ekonomi të zhvilluar, turizëm, arsim, punësim, muze të kujtesës, si dhe fond për mërgatën, ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje në tubimin e mbajtur në Klinë. Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se premtimet e bëra në fushatë do të realizohen.

Klina, një qytet i vogël por me potencial të madh, e ka mundësinë që të ndryshojë për më mirë, u tha në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë. Duke folur për të arriturat e kandidatit për kryetar të Klinës, Ramiz Rrustaj, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se zotimet e tij nuk do të mbesin vetëm në letër, por do të realizohen në tërësi, për çka premtoi mbështetje nga qeveria.

“Klina ka potencial të madh për ekonomi, turizëm, arsim e punësim. Qytetarët kanë nevojë për punë të qëndrueshme, bizneset e vogla të rriten, përkrahje për bujqit, ujë të pijshëm, furnizim me energji elektrike. Qytetarët meritojnë shëndetësi më afër e me cilësi, e këto nuk do të mungojnë sepse do të ketë bashkëpunim ndërmjet qeverisjes këtu dhe asaj në Prishtinë”, tha Kurti.

Kandidati i Vetëvendosjes për Klinën, Ramiz Rrustaj, premtoi program gjithëpërfshirës, pa dallime, katër çerdhe, si dhe bursa për të rinjtë.

“Çdo vajzë e djalë, burrë e grua do të ndjejë mbështetjen institucionale, administratë që ofron shërbime të shpejta dhe efikase. Programi ynë ofron zhvillim ekonomik, arsim cilësor, shëndetësi, zhvillim të kulturës, mbrojtjes së mjedisit e të tjera do t’i bëjmë së bashku me vendosmëri. Do të bëjmë një komunë që nuk i ndan qytetarët, por që i bashkon, një program i të gjithëve pa dallim”, tha Rrustaj.

Në këtë tubim, drejtuesit e VV-së premtuan edhe projekte të tjera si: parkingje nëntokësore, menaxhim të pronave, hapësira për investime, lirimin e bizneseve nga taksat në vitin e parë, muze të kujtesës, si dhe fond për mërgatën.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025