Aleanca Shqiptare e Bashkuar për Graçanicën përmbyll fushatën
RTKlive
Kandidati i Aleancës Shqiptare të Bashkuar për Graçanicën, Leutrim Ajeti, prezantoi programin katërvjeçar për qeverisjen lokale, të ndërtuar mbi një bazë të qëndrueshme zhvillimi. Ajeti u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim, duke synuar përfaqësim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Tubimi përmbyllës i fushatës u shënua nga motot “Një zë, një qëllim, një fitore”, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të komunitetit shqiptar. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare VV, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, të cilët theksuan se ky bashkim është një hap historik për komunitetin shqiptar të Graçanicës.
"Për herë të parë në histori, të gjitha partitë politike shqiptare janë bërë bashkë për një qëllim të përbashkët – barazinë dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve në Graçanicë", tha Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
"Kjo kandidaturë është simbol i unitetit dhe i vendosmërisë për ta bërë ndryshimin e madh më 12 tetor", tha ndërkaq Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërsa në fjalimin e tij para elektoratit, Leutrim Ajeti tha se kur shqiptarët bashkohen, fiton qytetari, fiton Graçanica. “Zgjedhjet e 12 tetorit do të jenë referendum për ndryshim dhe për një të ardhme ndryshe", tha ai.
Gjatë ngjarjes u prezantua edhe lista e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Graçanicës. Aleanca Shqiptare e Bashkuar përmbylli fushatën me mesazhin për unitet, pjesëmarrje masive dhe përfaqësim të barabartë, duke shprehur gatishmërinë për të sjellë një qeverisje efikase dhe të rezultateve konkrete për komunën.























