PDK mbyll fushatën në Prishtinë: Uran Ismaili, njeriu i duhur për ndryshim
Valjeta Shala / RTK
Partia Demokratike e Kosovës ka mbyllur fushatën e saj zgjedhore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Gjatë tubimit përmbyllës, përfaqësuesit e PDK-së kanë përcjellë mesazhin se partia është e gatshme të udhëheqë kryeqytetin për një mandat të ri në krye me kandidatin e tyre, Uran Ismailin.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, premtoi se me Uran Ismailin udhëheqës, Prishtina do të bëhet një qytet i jetueshëm dhe më funksional.
“Urani mbrëmë ua kujtoi të gjithëve pse duhet ta votojnë. Kjo sepse ai është i vetmi kandidat që Prishtinës i duhet për ndryshim, duke e bërë atë një Prishtinë funksionale. Ai është njeriu i duhur dhe ka të gjitha përgatitjet që i nevojiten. Duke e votuar atë, po i jepni vetes një mundësi për ndryshim,” theksoi Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të sjellë zgjidhje konkrete për kryeqytetin dhe banorët e saj.
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për Prishtinën në këto 25 vite, sepse pas këtij hapi ne do të vendosim për të ardhmen tonë. A do të jetë kryeqyteti i pastër dhe plot gjallëri? Kjo urgjencë është arsyeja pse fushata jonë ka qenë e pandalshme. Ne do të hapim sheshin ‘Xhorxh Bush’, do ta zhbllokojmë trafikun për 18 muaj, do të rrisim sigurinë në çdo lagje dhe do të ndërtojmë 450 km trotuare në çdo cep të Prishtinës,” tha ai.
Lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal që prezantoi PDK u tha se përmban profesionistë të përgatitur dhe të gatshëm për të punuar drejt një vizioni të përbashkët, duke sjellë ndryshimin që qytetarët e kryeqytetit presin.























