PDK premton kapitull të ri zhvillimi në Mitrovicën e Jugut me Arian Tahirin
Arlinda Sejda / RTK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në tubimin përmbyllës elektoral në Mitrovicën e Jugut, deklaroi se Arian Tahiri, kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, garanton një vizion të qartë për punë e zhvillim.
Ai tha se me Tahirin, Mitrovica e Jugut do të hapë një kapitull të ri te zhvillimit të qytetit dhe komunës në përgjithësi.
"Jemi në Mitrovicë për një kapitull të ri. Në Mitrovicë shihet qartë se kush ka qenë me Partinë Demokratike të Kosovës në ditët më të vështira dhe kush ka punuar për të. Në tubimin përmbyllës, qytetarët e Mitrovicës e dinë mirë dallimin”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi në fjalën e tij u shpreh se Arian Tahiri do të jetë dëshmia e ndryshimit, meqë ai vjen nga ky qytet dhe është rritur e jeton në lagjet e tij.
“Tahiri vjen nga të njëjtat lagje, të njëjtat rrugë, të njëjtat shkolla, i lidhur ngushtë me Trepçën. Vetëm Arianit i njeh e i ndan sfidat që i keni kaluar bashkë. Ai është ndër njerëzit më të zotë, i cili ka mësuar nga Besim Hama se si të qeveriset dhe të udhëhiqet me zemër”, ka thënë Krasniqi.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, tha se ky qytet është më i vlefshëm se çdo parti politike.
“Qytetarët janë bashkuar për këtë kauzë të përbashkët”, ka thënë Tahiri.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, u shpreh i bindur se mbështetja e bashkëqytetarëve për të, e bën krenar dhe përgjegjës. Derisa shprehu besimin se nesër, mitrovicasit do ta festojnë fitoren së bashku me të, Tahiri u zotua për realizimin 100% të projekteve të premtuara.
"Ne kemi nevojë për bashkim, punë dhe angazhim. Do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë qytetarët e Mitrovicës edhe ata që nuk do të na votojnë. Mbështetja juaj është për një lidership të ri. Qyteti i Mitrovicës do të zhvillohet dhe do të rindërtohet. Mbështetjen tuaj e ndjej si një investim për një djalë të ri, për të ardhmen tonë të përbashkët”, ka thënë Tahiri.
Në përmbyllje të këtij tubimi elektoral, Arian Tahiri u bëri thirrje qytetarëve që të organizohen dhe të votojnë me vendosmëri për ndryshimin që duan. Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut ka për kundërkandidat atë të LVV-së.























