Foda: Fitore e merituar, tani fokusi te Zvicra
BKT
Sport

Foda: Fitore e merituar, tani fokusi te Zvicra

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka pasur fjalë të mira për futbollistët e tij për ndeshjen historike ndaj Sllovenisë, e cila i ka dhënë Kosovës mundësinë për të siguruar për herë të parë vendin e barazhit në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Ndeshja është mbyllur me fitore 2:0 për "Dardanët", në përballjen e zhvilluar të shtunën në Ljubljanë.

“Mendoj se i qëndruam shumë mirë planit paraprak që e kishim. E kishim të qartë se ata do të vijnë lartë për presing dhe duhej të ishim të përgatitur për këtë. Plani funksionoi dhe lojtarët e zbatuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ishte ndeshja më e mirë e Kosovës, por ishte një ndeshje shumë e mirë” ka thënë Foda pas ndeshjes.

Trajneri ka theksuar se fitorja ishte e merituar, pasi djemtë kanë luajtur me presing të vazhdueshëm, kanë vrapuar për nëntëdhjetë minuta dhe kanë bërë tranzicione të shpejta. “Jam shumë i lumtur për futbollistët dhe për skuadrën. Kanë luftuar shumë dhe kjo fitore është e merituar. Tani duhet të mendojmë për rigjenerimin, sepse të martën na pret ndeshja me Zvicrën. Shpresojmë për një paraqitje tjetër të mirë dhe pse jo për fitore”, ka shtuar ai.

Foda ka falënderuar edhe tifozët për mbështetjen e tyre. “Ishte atmosferë fantastike dhe jam shumë falënderues për të gjithë spektatorët që vijnë për të përkrahur skuadrën tonë. Jemi krenarë për numrin e madh të tifozëve, kudo që kemi luajtur: në Zvicër, Suedi dhe Kosovë. Kjo tregon krenarinë që ka krejt populli i Kosovës me ekipin kombëtar”, ka deklaruar trajneri.