Prishtina dhe Ferizaj ndajnë pikët, Gjilani e mund Llapin
Sh.Ç|RTKlive
Superliga e Kosovës solli emocione të forta këtë fundjavë, me dy ndeshje plot rivalitet, gola dhe raste të humbura dramatike.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina dhe Ferizaj u ndanë pa fitues, 1-1, në një duel ku të dyja skuadrat kërkonin me ngulm t’i jepnin fund krizës së rezultateve.
Pas një pjese të parë pa gola, por me raste të mira nga të dy palët, vendasit gjetën golin e avantazhit në minutën e 51-të me një goditje të saktë me kokë nga Mario Ilievski.
Ferizaj reagoi shpejt, dhe vetëm pas nëntë minutash, Jakup Berisha barazoi shifrat nga pika e bardhë. Në fund të ndeshjes, Shabani pati rastin e artë për t’i dhënë tre pikët mysafirëve, por gjuajtja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën, duke vulosur barazimin.
Me këtë rezultat, Prishtina ngjitet në vendin e dytë me 27 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 16 pikë. Në xhiron e ardhshme, Prishtina viziton Ballkanin, kurse Ferizaj i shkon Drenicës në Skenderaj.
Ndërkohë në Gjilan, vendasit u shfaqën të pandalshëm përballë Llapit, duke fituar 3-0 dhe duke marrë tri pikë për rikthimin në zonën e sipërme të tabelës.
Llapi mbeti me një lojtar më pak që në minutën e 3-të, pasi kapiteni Axel Gnapi u përjashtua me të kuqe pas një ndërhyrjeje të rëndë. Përkundër epërsisë numerike, Gjilani nuk arriti të gjejë golin në pjesën e parë, që u mbyll 0-0.
Por vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, Sabit Bilali zhbllokoi rezultatin me një finalizim të saktë. Dhjetë minuta më vonë, Mevlan Adili dyfishoi avantazhin me një goditje të fuqishme brenda zonës. Në minutën e 87-të, Senad Jaroviq vulosi triumfin me golin e tretë.
Fitorja e ngjit Gjilanin në vendin e gjashtë me 22 pikë, ndërsa Llapi mbetet i shtati me 20 pikë. Në ndeshjen e radhës, Gjilani përballet me rivalin lokal, Dritën, kurse Llapi do të kërkojë rikthimin ndaj Malishevës në Podujevë.























