Morina e Sermaxhaj flasin me optimizëm për Dritën
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i futbollit, Arbënor Morina, ka thënë se kur Drita sonte përballet me skuadrën holandeze AZ Alkmaar e ka rastin e madh për të kaluar në fazën tjetër të Conference League.
Ndeshja zhvillohet sonte në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë dhe është e parafundit në fazën e parë të garës. Drita aktualisht renditet në vendin e tetë të Conference League, ndërsa AZ Alkmaar mban pozitën e njëzetë.
“AZ Alkmaar është skuadër me konsistencë në garat evropiane. Drita sonte e ka rastin për ta bërë hapin e madh dhe gjasat ekzistojnë. Duhet pasur kujdes, çfarëdo që është për momentin kjo skuadër, është skuadër holandeze. Por edhe ajo që ka bërë Drita deri tash na ka bërë krenar”, ka deklaruar Morina.
Ndërsa, analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka vlerësuar se Drita ka bërë paraqitje të mira në Conference league dhe ka mundësi reale për të shkuar më tutje.
“Gjasat e Dritës janë të mëdha për të vazhduar tutje. Drita ka paraqitje të mira në Conference League duke pasur pozitë më të mirë në tabelë se sa plot skuadra të mëdha. Drita duhet të vazhdojë me këtë mënyrë, me mbrojtje e kundërsulm efikas, por duhet pasur kujdes, sepse AZ Alkmaar është një skuadër shumë e fortë e me përvojë,” ka thënë Sermaxhaj.























