PDK hap fushatën në Prizren, Hamza: Ne jemi zgjidhja
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

PDK hap fushatën në Prizren, Hamza: Ne jemi zgjidhja

Sh.Ç|RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, në Prizren, në qytetin që është simbol i bashkimit.

Kryetari dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se nga qyteti historik, PDK -ja dhe mbështetësit e saj po hapin një kapitull të ri zhvillimi për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova ka nevojë për një kapitull të ri. Një kapitull stabiliteti. Një kapitull zhvillimi. Një kapitull shprese. Kosova nuk ka më luks për eksperimente politike”, ka theksuar ai.

Hamza ka ftuar qytetarët të bëhen bashkë për të ecur përpara duke votuar PDK-në me numër 130.

“Sot nuk ju ftoj të besoni në një individ, por në një ide më të madhe se secili prej nesh. Unë e kërkoj besimin tuaj vetëm për t’ju shërbyer. Me përgjegjësi, me guxim dhe me vizion do ta çojmë Kosovën përpara. Votoni numrin 130 dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje. Përpara për Kosovën”, ka theksuar Hamza.

Sipas tij, programi i PDK-së bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi dhe mbrojtje e politikë e jashtme.

Hamza është zotuar që Qeveria e udhëhequr nga ai do të bashkojë, integrojë dhe punojë për të gjithë.

“Ne besojmë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që nuk e lë pas asnjë qytetar. Prandaj, do t’i rrisim pagat dhe pensionet.  Pagat për mësuesit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar lehtësira për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, fond 30 milionë euro në vit për bursa studentore, ilaçe falas për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, drejtësi të pavarur nga politika.

“Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian për mua nuk ka alternativë. Do ta thellojmë partneritetin me NATO-n, do të punojmë për Partneritetin për Paqe, do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA dhe do ta synojmë Marrëveshjen Strategjike me aleatin tonë kryesor. Po ashtu, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të kandidatit në BE”, ka shtuar Hamza.

Hamza tha se ai dhe ekipi i tij ofron plan në vend të sloganeve, sepse Kosova ka nevojë për një qeveri që punon, jo që improvizon si qeveria e deritashme.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025