Abdixhiku në Istog e Klinë: Punë për të rinjtë dhe investime në arsim
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Abdixhiku në Istog e Klinë: Punë për të rinjtë dhe investime në arsim

RTK

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin qeverisës për zgjedhjet e 28 dhjetorit para qytetarëve të Istogut dhe Klinë, duke shpalosur zotimet për punësim të të rinjve, investime në arsim dhe infrastrukturë, si dhe përmirësim të mirëqenies sociale.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur programin qeverisës për zgjedhjet e 28 dhjetorit para qytetarëve të Istogut.

Duke premtuar projekte të reja për këtë qytet, nga investimet në infrastrukturë e arsim, Abdixhiku u zotua se në qeverisjen e tij asnjë i ri i porsadiplomuar nuk do të mbetet pa punë.

“Kemi paraparë ndërtimin e 80 çerdheve gjithandej vendit dhe do të keni mbështetjen që disa prej tyre të ndërtohen edhe në Istog. Istogu do të jetë komuna e radhës ku mësimi tërëditor do të bëhet realitet brenda mandatit tonë të parë. Do t’i ndajmë mbi 1 miliard euro për ta bërë mësimin tërëditor realitet. Për të rinjtë dhe rininë, për herë të parë në historinë e Kosovës, LDK vjen me një program ambicioz: punë e garantuar për secilin të porsadiplomuar, me 500 euro në muaj. Nuk ka kuptim që një i ri të kryejë fakultetin dhe të përfundojë në rrugë. 40 mijë të rinj të tjerë do të trajnohen për të pasur paga të dinjitetshme”, theksoi ai

LDK në Klinë është zotuar gjithashtu për rritjen e pagave për të gjithë shërbyesit publikë, rritjen e pensioneve për 100 për qind, projekte infrastrukturore për Klinën, si dhe investime në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera, me hapjen e fushatës në këtë komunë.

“Nga Klina, për herë të parë po e bëj publik zotimin për pensionistët. Trajtimi i pensionistëve nuk është lëmoshë, është obligim. Prandaj ju zotohemi se në vitin e parë pensionet do të jenë 200 euro, në vitin e dytë 250 euro, ndërsa brenda mandatit të parë do të arrijnë në 300 euro”, tha ai.

Abdixhiku, duke kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 28 dhjetorit, tha se me të në krye të qeverisë prioritet do të jetë familja, përmes planit që do ta parashohë Ministria e Mirëqenies dhe Familjes.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025