Haradinaj premton NATO-n dhe dyfishimin e pagave e pensioneve
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Haradinaj premton NATO-n dhe dyfishimin e pagave e pensioneve

RTK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hapi zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë. Kandidati për kryeministër nga AAK, Ramush Haradinaj, premtoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa u zotua për dyfishimin e pagave dhe pensioneve gjatë mandatit të tij qeverisës.

Me moton “Krah Teje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur fushatën elektorale në Prishtinë.

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, para simpatizuesve të partisë, prezantoi programin për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se në këtë garë janë fokusuar në tri shtylla kryesore.

“Vlerat tona, traditat dhe zakonet, ato për të cilat ne shquhemi dhe dallohemi nga të tjerët, do t’i ruajmë me besnikëri. Ne do t’i shtojmë këto vlera në vlerat e popujve dhe shteteve që do t’i takojmë. Pra, ruajtja e identitetit tonë është një betim që do ta mbajmë. Shtylla e dytë e programit tonë është rritja ekonomike. Ne do ta aktivizojmë gjithë potencialin ekonomik që ka Kosova. Rritjen ekonomike e bazojmë në sektorin privat, të mbështetur nga shteti, në kthimin e investimeve në vend, në rritjen e buxhetit për Kosovën dhe në politika fiskale të favorshme. Do t’i nxisim bizneset e reja dhe do t’i mbështesim gratë në biznes dhe në gjetjen e vendeve të punës”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se, ashtu siç kanë ndërtuar ushtrinë, Kosovën do ta anëtarësojnë edhe në NATO.

“Shtylla jonë e tretë është siguria, e cila buron nga ne. Ne e ndërtojmë sigurinë krah njëri-tjetrit. Institucionet tona të sigurisë si ushtria, policia dhe të gjitha institucionet e tjera e garantojnë sigurinë, por ne e dimë se kemi mundësinë, besimin dhe rrugën e trasuar. Ashtu siç e kemi ndërtuar ushtrinë, mund të anëtarësohemi në NATO. Pra, jemi aleatë të besueshëm dhe do të anëtarësohemi në NATO”, tha Haradinaj.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se kjo është lista më gjithëpërfshirëse dhe me kandidatët më të mirë në këtë garë.

“Asnjëherë prej çlirimit e këtej, Kosova nuk ka pasur njeri me më shumë guxim, vizion dhe strategji për të ardhmen e vendit sesa ne, dhe ne e kemi prijësin tonë të listës, të partisë dhe kandidatin tonë për kryeministër, Ramush Haradinaj”, tha Gjini.

Drejtuesit e AAK-së u zotuan se deri në vitin 2029, të gjitha pagat dhe pensionet do të dyfishohen.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025