Hamza në Suharekë, Shtime e Lipjan: Të nisim një kapitull të ri për Kosovën
BKT
   Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025

Hamza në Suharekë, Shtime e Lipjan: Të nisim një kapitull të ri për Kosovën

N.M. /RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar të dielën Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin, ku ka prezantuar programin dhe vizionin e tij për qeverisjen e Kosovës në katër vitet e ardhshme.

Në takimet me qytetarët, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe bashkim, duke shtuar se është koha për hapjen e një kapitulli të ri politik dhe ekonomik për vendin.

Ai, në një postim në Facebook, bëri të ditur se programi i tij qeverisës mbështetet në katër shtylla kryesore: zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, arsimin dhe shëndetësinë, forcimin e drejtësisë, si dhe mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Hamza u zotua për rritje të pagave dhe pensioneve për 50 për qind, shfuqizimin e ligjit aktual për tatimin në pronë, mbështetje për bizneset vendore, si dhe krijimin e një fondi vjetor prej 30 milionë eurosh për bursa studentore. Po ashtu, ai premtoi investime për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.

Kandidati i PDK-së për kryeministër u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë për zhvillim dhe stabilitet, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës me numrin 130, njofton zyra për informim e PDK-së.

Hamza ftoi edhe bashkatdhetarët që gjatë festave të fundvitit të vijnë në Kosovë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025