Lyon konfirmon huazimin e Endrick nga Real Madrid
Uran Krasniqi / RTKLive
Lyon ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit të Real Madridit, Endrick, i cili do të luajë si i huazuar te klubi francez për pjesën e mbetur të sezonit.
“Këtë vit, Krishtlindjet vijnë më 23 dhjetor”, ka qenë mesazhi me të cilin Lyon e ka komunikuar marrëveshjen, i shoqëruar me një video tridhjetë e gjashtë sekondëshe.
Braziliani kishte arritur marrëveshje që disa javë më parë për t’u transferuar për gjashtë muaj te Lyon, pasi u bë e qartë se trajneri Xabi Alonso nuk e kishte në planet e tij te Real Madrid. Negociatat për detajet përfundimtare të marrëveshjes vazhduan deri pak orë para njoftimit zyrtar.
Lyon kishte kërkuar që marrëveshja të përfshinte edhe një opsion blerje, por Real Madrid e ka refuzuar këtë kërkesë, duke besuar se Endrick mund të ketë ende rol të rëndësishëm dhe të ardhme në “Santiago Bernabeu”.
Endrick pritet t’i bashkohet ekipit të ri më 29 dhjetor, ndërsa klubi francez do të paguajë rreth një milion euro për huazimin e tij.























