Neymar e kryen me sukses operacionin, mban gjallë shpresat për Botëror
BKT
Sport

Neymar e kryen me sukses operacionin, mban gjallë shpresat për Botëror

Uran Krasniqi / RTKLive

Neymar ka kaluar me sukses një operacion në gju, ka njoftuar të hënën klubi i tij Santos, teksa ylli brazilian synon rikthimin në formë të plotë dhe një vend te Brazili për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.

Tridhjetë e tre vjeçari në janar është rikthyer te klubi i fëmijërisë, Santos, duke pasur shumë rol në mbijetesën e ekipit në elitën e futbollit brazilian. Edhe pse me dhimbje, ai ka luajtur dhe ka shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit.

Santos ka bërë të ditur se operacioni është kryer nga mjeku i kombëtares braziliane, Rodrigo Lasmar.

“Operacioni ishte i suksesshëm dhe lojtari është në gjendje të mirë”, thuhet në njoftim.

Klubi nuk ka dhënë një afat të saktë për rikthimin e Neymar, por media braziliane "Globo Esporte" ka raportuar se rikuperimi mund të zgjasë deri në një muaj.

Neymar, golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me shtatëdhjetë e nëntë gola, nuk ka luajtur për kombëtaren që nga viti 2023, për shkak të një sërë lëndimesh.