Kelmendi i ‘Fjalës’, shpalosë programin në RTK
V.S|RTKlive
Programin e partisë Fjala e ka prezantuar në kuadër të intervistave me liderë politikë në Radio Televizionin e Kosovës, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, kryetari i i këtij subjekti politik, Gëzim Kelemendi. Ai tha se shtyllat kryesore të programit të partisë që drejton janë arsimi, ekonomia, sundimi i ligjit, dhe politika e jashtme.
“Jemi munduar të hartojmë për çdo kohë e çdo rrethanë një program. E kemi përpiluar një program që i përgjigjet nevojës së qytetarit dhe shtetit në përgjithësi”, tha ai.
Kelmendi, në këtë intervistë tha se nuk janë zhytur në premtime megalomane me shifra të parealizueshme. “Gjithmonë e kemi matur realitetin tonë, konfrom buxhetit të Republikës”, deklaroi ai.
Kreu i partisë Fjala, tha se kanë shtrirje në çdo komunë të Kosovës. “Jemi e vetmja parti politike në Kosovë që garojmë që pesë palë zgjedhje dhe nuk jemi dorëzuar asnjëherë”, deklaroi Kelmendi.
Kur foli për politikat e punësimit, Kelmendi tha se ka mundësi, potencial e burime, por tha se nuk ka vullnet e dëshirë nga politikanët.
Kelmendi tha se për bizneset vogla duhet të ketë lehtësira tatimore . “Modelet më të mira kanë qenë të vendeve skandinave ku në vitet e para derisa biznesi i vogël ta merr vetën, derisa të tregoj se ka arritur të akumulojë një shumë të caktuar të mjeteve, të mos cenohet e drejta e tij për të paguar taksa. Ne kemi paraparë fuqizimin e bizneseve të vogla”, deklaroi ai në RTK.
Gjithashtu foli për fuqizimin e industrisë prodhuese në vend, që sipas tij, do të rriste numrin e të të punësuarve.
“Fuqizimi i blektorisë e bujqësisë, industrisë prodhuese, stimulimi i investimeve të huaja përfshirë edhe diasporës, do të bëjë të rritet numri i vendeve të punës e mirëqenia në Kosovë”, vijoi ai.























