LDK premton autostradën Gjilan–Prishtinë, mbështetje për familjet
Arbresha Berisha|RTK
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Gjilan. Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, simpatizantëve u premtoi autostradën Gjilan–Prishtinë dhe një sërë projektesh të tjera. Ai premtoi gjithashtu themelimin e Ministrisë së Familjes dhe Mirëqenies, përmes së cilës fillimisht do t’u ndahen secilës familje me fëmijë 200 euro, krahas pagesës prej 50 euro në muaj për secilin fëmijë nga mosha 1 deri në 16 vjeç.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur fushatë në Gjilan në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, në të cilat kjo parti garon me Lumir Abdixhikun, kandidat për kryeministër.
Abdixhiku u kërkoi banorëve të Gjilanit mbështetjen duke u premtuar autostradën për në Prishtinë.
“Do ta bëjmë prioritet autostradën. Unë dhe ekipi ynë do të jemi në terren për ta bërë këtë rrugë realitet për Gjilanin, Kamenicën dhe Bujanocin. Një lidhje e shpejtë për në Prishtinë për rreth 23 minuta. Plani ynë është mbështetës”, tha ai
Abdixhiku premtoi edhe projekte të tjera, mbështetje për fëmijët dhe rritje të pagave.
“Në qendër të mbështetjes kemi familjen. Programi ynë do të nisë nga familja kosovare. Do të themelojmë Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies. Në këtë ministri, nga 200 euro në muaj për vitin e parë do t’i jepen secilës familje me fëmijë. Për çdo fëmijë nga mosha 1–16 vjeç do të ndajmë nga 50 euro çdo muaj. Fëmijët janë pasuria jonë kombëtare. Gjilani është qytet i arsimit dhe i dijes, por sot mësuesi i Gjilanit është i lodhur. Andaj kemi paraparë t’i rrisim pagat për mësuesit tanë, 1 mijë euro në muaj për një mësues”, theksoi ai.
LDK është zotuar gjithashtu për rritje të pensioneve.























