Dembele shpallet Futbollisti i Vitit 2025 në `Globe Soccer`
Uran Krasniqi/RTKLive
Futbollisti i Kombëtares së Francës dhe i PSG-së, Ousmane Dembele, është shpallur Futbollisti më i Mirë i Vitit 2025 në ceremoninë e "Globe Soccer Awards", e mbajtur të dielën në Dubai.
Dembele ka kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm, duke shtuar këtë çmim të madh individual pas fitimit të "Topit të Artë" dhe çmimit "The Best", duke kompletuar një tripletë historike. Një arritje e tillë më parë ishte realizuar vetëm nga Cristiano Ronaldo, në vitet 2016 dhe 2017.
Sulmuesi francez është vlerësuar për paraqitjet vendimtare gjatë sezonit, sidomos në fazat finale të edicionit 2024/25, ku ka qenë kyç për sukseset e PSG-së. Ai ka triumfuar përballë konkurrencës së fortë nga emra si Vitinha, Lamine Yamal, Raphinha dhe Mbappe.
Mbrëmja ka qenë shumë e suksesshme edhe për PSG-në, e cila ka fituar disa çmime të rëndësishme: Skuadra më e mirë e vitit: PSG, Trajneri më i mirë: Luis Enrique, Mesfushori më i mirë: Vitinha, Lojtari i ri më i mirë: Desire Doue, Presidenti më i mirë: Nasser Al-Khelaifi. Çmime janë ndarë edhe në kategoritë e tjera: Sulmuesi më i mirë: Lamine Yamal, skuadra më e mirë e femrave: Barcelona, Futbollistja më e mirë: Aitana Bonmati.
Fituesit e "Globe Soccer Awards" përzgjidhen përmes kombinimit të votës së publikut dhe një jurie profesionale, ku përfshihen ish-futbollistë, trajnerë dhe drejtues të futbollit botëror.























