Maresca ndahet me Chelsean pas gjashtë muajsh në krye të ekipit
BKT
Sport

Maresca ndahet me Chelsean pas gjashtë muajsh në krye të ekipit

RTKlive

Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelseat. Klubi londinez ka konfirmuar ndarjen me tekniku italian, vetëm gjashtë muaj pas suksesit në Kupën e Botës për Klube.

Maresca e lë Chelsean në vendin e pestë në Premier League, larg pritshmërive të klubit për një rikthim të shpejtë në elitën evropiane. Në një deklaratë zyrtare, Chelsea bëri të ditur se vendimi është marrë me mirëkuptim të ndërsjellë.

“Me objektivin për të qenë konkurrues në të gjitha garat dhe për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, klubi dhe Enzo Maresca besojnë se një ndryshim në drejtimin teknik i jep skuadrës mundësinë më të mirë për të rikthyer rezultatet pozitive”, thuhet në njoftimin e klubit.

Forma e dobët në kampionat ka ndikuar ndjeshëm në këtë vendim. “Blutë” kanë fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në Premier League dhe kanë grumbulluar vetëm gjashtë pikë gjatë muajit dhjetor, duke mbetur 15 pikë pas liderit Arsenal.

Sipas raportimeve nga mediat angleze, marrëdhënia mes Marescës dhe drejtuesve të klubit është tensionuar javët e fundit. Pas fitores ndaj Evertonit në dhjetor, trajneri italian kishte deklaruar se presioni dhe kritikat i kishin shkaktuar “48 orët më të vështira” që nga momenti kur mori drejtimin e Chelseat.