Analistët e RTK-së: Dortmund–Inter premton spektakël në Champions
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Përballja mes Borussia Dortmundit dhe Interit konsiderohet sfida kryesore e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
Të dy skuadrat hyjnë në këtë takim me synim fitoren, në një garë të fortë për të siguruar kalimin në rundin e ardhshëm të garës më elitare evropiane për klube.
Analistët e RTK-së, Skënder Shëngyli dhe Arbnor Morina, janë shprehur optimistë se dueli mes skuadrës gjermane dhe asaj italiane do të prodhojë një përballje të fortë dhe mjaft interesante.
Sipas Arbnor Morinës, Dortmund dhe Inter janë skuadra që tradicionalisht bëjnë pjesë në mesin e ekipeve të mëdha evropiane dhe përballja e tyre premton spektakël.
“Janë dy ekipe që gjithmonë janë në kremin e futbollit evropian. Në Dortmund është gjithmonë kënaqësi të luash për shkak të atmosferës së jashtëzakonshme. Dortmundi është një ekip luftarak dhe si vendas kërkon gjithmonë fitoren. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë interesante”, ka theksuar Morina.
Një përballje të luftuar parashikon edhe ish-futbollisti dhe trajneri i njohur, Skënder Shëngyli, i cili vlerëson se në Ligën e Kampionëve nuk ka favoritë të qartë.
“Në një garë si Liga e Kampionëve, favoritë nuk ka. Megjithatë, duke u bazuar në formën aktuale, Interi mund të konsiderohet favorit i lehtë, por Dortmundi është skuadër tipike gjermane, shumë luftarak dhe që luan futboll të bukur”, ka thënë Shëngyli.
Ai ka shtuar se Interi është ekip cinik dhe i disiplinuar taktikisht, që di të shfrytëzojë rastet, duke theksuar se pritet një ndeshje spektakolare dhe shumë e fortë.
Takimi mes Borussia Dortmundit dhe Interit fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.























