Bodo/Glimt mposht Inter, afër kualifikimit historik
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 23: 07 - )Bodo/Glimt ka bërë një hap të madh drejt fazës së 1/8 së finales në Champions League, pasi e ka mposhtur Inter me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë të “play-off”, të zhvilluar në Norvegji.
Skuadra norvegjeze i ka dhënë fund serisë prej gjashtë fitoresh radhazi të Inter dhe do të udhëtojë drejt “San Siro” me avantazh prej dy golash.
Goli i parë ka ardhur në minutën e njëzetë, kur pas një aksioni të bukur, Sondre Brunstad Fet ka realizuar pas asistimit të saktë nga Kasper Hogh, duke e mposhtur portierin Yann Sommer.
Inter ka reaguar dhe e ka barazuar në minutën e tridhjetë me golin e Pio Esposito, i cili ka shfrytëzuar një tollovi në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.
Italianët kanë pasur edhe raste të tjera, por nuk kanë arritur të kalojnë në epërsi.
Në pjesën e dytë, Bodo/Glimt është tregua më efikas. Në minutën e gjashtëdhjetë, Jens Petter Hauge ka shënuar për 2-1, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, Kasper Hogh e ka vulosur rezultatin 3-1 pas një asistimi të saktë brenda zonës.
Inter tentoi të rikthehet në lojë, por vendasit janë mbrojtur mirë dhe e kanë ruajtur epërsinë deri në fund.
Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Itali, ku Inter do të kërkojë përmbysjen, ndërsa Bodo/Glimt synon të shkruajë histori.

Bodo/Glimt -Inter, pjesa e parë kryhet baras
Bodo/Glimt dhe Inter janë ndarë me rezultat 1-1 pas pjesës së parë në ndeshjen e parë të fazës “Play off” të Champions League.
Në ndeshjen që RTK po e transmeton drejtërdrejt, golin e parë e ka shënuar Sondre Fet për Bodo/Glimt në minutën e njëzetë, pas një topi të gjatë të Kasper Hogh.
Inter ka reaguar shpejt dhe në minutën e tridhjetë, kur Francesco Pio Esposito ka shënuar nga një top i kthyer brenda zonës, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Pjesa e dytë pritet të vendosë se cili ekip do të marrë avantazhin për ndeshjen e kthimit në Itali.























