Kosova humb ngushtë ndaj Finlandës në kualifikimet për Evropian
Uran Krasniqi / RTKLive
Kombëtarja e Kosovës ka luajtur një ndeshje të fortë dhe të barabartë me Finlandën, të enjten mbrëma në Vantaa, por paraqitja e mirë nuk është shpërblyer me pikë. Finlanda ka fituar me dy gola dallim, 23:21.
Vajzat e Kosovës e kanë nisur ndeshjen mirë, duke qenë në epërsi gjatë pesëmbëdhjetë minutave të para. Më pas, lojtaret vendase kanë kaluar në avantazh dhe kanë arritur të krijojnë epërsi deri në katër gola në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, ndeshja ka vazhduar e fortë dhe vajzat kosovare kanë qëndruar vazhdimisht pranë rezultatit. Ato janë afruar disa herë në dy gola, por fatkeqësisht nuk kanë arritur të barazojnë.
Portierja Aurora Kryeziu është shquar me tetëmbëdhjetë pritje, ndërsa më efikasja në sulm ka qenë Merlinda Qorraj me dhjetë gola. Elvina Qorraj ka shënuar tre gola, ndërsa Mirjeta Bytyqi, Yllka Shatri dhe Tina Hetemi nga dy gola secila.
Kosovarët do të kenë një tjetër mundësi për të marrë pikë kur të dielën nga ora 17:15 ndeshen sërish me Finlandën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.























