Fiton Real, Valverde vendos ndeshjen në minutën e fundit
BKT
Sport

Fiton Real, Valverde vendos ndeshjen në minutën e fundit

Uran Krasniqi / RTKLive

Real Madrid u është rikthyer fitoreve në LaLiga, pasi e ka mposhtur me rezultat 2-1 ekipin e Celta de Vigo në transfertë.

Skuadra madrilene ka kaluar në epërsi që në minutën e njëmbëdhjetë kur mesfushori Aurelien Tchouameni ka shënuar pas një goditje nga këndi.

Vendasit kanë reaguar dhe e kanë barazuar në minutën e njëzet e pestë. Pas një aksioni të mirë nga Williot Swedberg, sulmuesi Borja Iglesias ka realizuar për 1-1.

Në pjesën e dytë loja ka qenë më e baraspeshuar dhe të dy ekipet kanë pasur raste. Në fund, kur ndeshja dukej se do të përfundonte me barazim, ka ardhur momenti vendimtar. Në minutën e  nëntëdhjetë e katërt, mesfushori uruguaian Federico Valverde ka realizuar nga distanca, ndërsa topi është devijuar dhe ka përfunduar në rrjetë për t’i dhënë fitoren Real Madrid.

Me këtë fitore, Real Madridi afrohet vetëm një pikë pas liderit Barcelona në garën për titull në LaLiga.