Barcelona merr fitore në udhëtim ndaj Athletic Bilbao
BKT
Sport

Barcelona merr fitore në udhëtim ndaj Athletic Bilbao

Uran Krasniqi / RTKLive

Barcelona ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Athletic Club me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "San Mames", duke ruajtur epërsinë në krye të tabelës në LaLiga.

Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë dhe që në sekondat e para Joao Cancelo e ka goditur traversën pas një aksioni të shpejtë të Barcelonës.

Në anën tjetër, vendasit kanë pasur disa mundësi, por nuk kanë arritur ta gjejnë rrugën e golit.

Gjatë pjesës së parë është lënduar mesfushori i Bilbao, Unai Gomez, i cili është zëvendësuar nga Robert Navarro.

Barcelona ka pasur më shumë kontroll të lojës, por mbrojtja e vendasve e udhëhequr nga Dani Vivian dhe Aymeric Laporte ka arritur t’i ndalë sulmet e mysafirëve.

Në pjesën e dytë rastet kanë vazhduar në të dy anët. Portieri i Barcelonës, Joan Garcia, ka bërë disa pritje të rëndësishme, ndërsa edhe Marcus Rashford ka rrezikuar për mysafirët.

Goli vendimtar ka ardhur në pjesën e dytë nga talenti i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, i cili ka realizuar përmes një goditje në këndin e epërm të portës.

Deri në fund, Athletic e ka provuar ta barazojë me lojtarë si Inaki Williams dhe Oihan Sancet, por portieri Garcia ka qenë në veend. 

Me këtë fitore, Barcelona ruan vendin e parë në tabelë me katër pikë më shumë se ndjekësit, ndërsa Athletic Bilbao mbetet pesë pikë larg zonës që dërgon në garat evropiane.