Alcaraz pas fitores: Ndonjëherë duket sikur luaj kundër Federer-it
BKT
Sport

Alcaraz pas fitores: Ndonjëherë duket sikur luaj kundër Federer-it

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të turneut Indian Ëells Masters, pasi mposhti me përmbysje francezin Arthur Rinderknech pas një përballjeje të fortë që zgjati tre sete.

Numri një i botës hasi vështirësi të mëdha për të shmangur eliminimin e hershëm, në një ndeshje që u komplikua ndjeshëm. Rinderknech zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke e detyruar spanjollin të luftojë fort për më shumë se një orë për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Pas përfundimit të takimit, Alcaraz foli edhe për një fenomen që, sipas tij, po e përjeton shpesh në turne të mëdhenj: kundërshtarët që luajnë në maksimum kur përballen me të.

“Ndonjëherë më duket sikur jam duke luajtur kundër Roger Federer në çdo turne”, u shpreh spanjolli me ironi, duke nënvizuar se shumë tenistë arrijnë një nivel shumë të lartë loje kur përballen me të, por nuk e mbajnë të njëjtin ritëm gjatë pjesës tjetër të sezonit.

Kampioni në fuqi pranoi se shpesh ndjen presionin e të qenit objektivi kryesor i rivalëve në turne.

“Ndihem sikur kam një shënjestër në shpinë”, tha Alcaraz, duke shtuar se kjo situatë e detyron të kërkojë vazhdimisht zgjidhje taktike për të thyer ritmin e kundërshtarëve.

Spanjolli synon të mbrojë titullin në turneun prestigjioz amerikan dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt një tjetër trofeu të madh në sezon.