Walker i jep fund karrierës me Kombëtaren angleze
BKT
Sport

Walker i jep fund karrierës me Kombëtaren angleze

Uran Krasniqi/RTKLive

Mbrojtësi anglez, Kyle Walker, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga Kombëtarja angleze, pasi për katërmbëdhjetë vjet e ka përfaqësuar vendin e tij nëntëdhjetë e gjashtë herë.

Futbollisti që aktualisht luan për Burnley e kishte bërë debutimin me Kombëtaren angleze në vitin 2011 në një ndeshje kundër Spanjës. Gjatë viteve ai ishte shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Walker kishte munguar në Kampionatin Evropian 2012 dhe në Kampionatin Botëror 2014 për shkak të lëndimeve, por më pas kishte marrë pjesë në pesë turne të mëdhenj radhazi. Ai ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës që kishte arritur në finalet e Kampionatit Evropian 2020 dhe Kampionatit Evropian 2024, si dhe kishte kontribuar në arritjen e gjysmëfinales së Kampionatit Botëror 2018.

“Jam i mërzitur që po e marr këtë vendim, por njëkohësisht shumë krenar për atë që kam arritur me Anglinë”, ka thënë Walker. “Të përfaqësosh vendin në pesë turne të mëdhenj dhe të arrish në finale ka qenë një nder i madh për mua”.

Ndeshjen e fundit me Kombëtaren angleze, Walker e ka zhvilluar në një miqësore verën e kaluar ndaj Senegalit.

Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, i cili nuk e kishte ftuar në grumbullimet e fundit të vitit 2025, e ka vlerësuar mbrojtësin si një nga lojtarët e mëdhenj të përfaqësueses.

“Karriera e tij  prej katërmbëdhjetë vitesh dhe pjesëmarrja në pesë turne të mëdhenj tregojnë përkushtimin e tij. Ai mund të jetë shumë krenar për gjithçka që ka arritur me Kombëtaren angleze”, ka deklaruar Tuchel.