Kastrioti fiton derbin ndaj Besës Famgas, forcon kreun e tabelës
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Kastrioti ka triumfuar në derbin e fundjavës ndaj Besa Famgas, duke vazhduar dominimin në Superligën e hendbollit të Kosovës.
Në një atmosferë të zjarrtë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, para rreth 2000 shikuesve, skuadra vendase fitoi me rezultat 23:20.
Ferizajasit e nisën fuqishëm takimin dhe krijuan epërsi të hershme, duke avancuar 10:4 pas minutës së 20-të. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 12:7 në favor të Kastriotit.
Në fraksionin e dytë, vendasit e thelluan epërsinë deri në nëntë gola, megjithëse mysafirët nga Peja arritën ta ngushtojnë diferencën në tri gola në momentet përmbyllëse.
Më i dalluari te Kastrioti ishte Albin Ahlin Axel me gjashtë gola, ndërsa Alban Haziri dhe Gentrit Brahimi kontribuan me nga katër secili. Në portë, sërish u shqua Wadi Chebbi me pritje vendimtare.
Te Besa Famgas, Mohamed Yassin realizoi shtatë gola, ndërsa Boban Kakovski shtoi pesë.
Me këtë fitore, Kastrioti mbetet lider i tabelës me 42 pikë, ndërsa Besa Famgas renditet e treta me 34 pikë dhe një ndeshje më pak.
Fitore edhe për Rahovecin dhe Llapin
Në ndeshjet e tjera të së shtunës, Rahoveci ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtina me rezultat 46:41.
Arbios Mushkolaj ishte më efikasi me 10 gola për “vreshtarët”, ndërsa Jon Muqolli shtoi nëntë. Te Prishtina, Enis Kuleta realizoi 14 gola, ndërsa Albi Gjuka kontribuoi me nëntë.
Ndërkohë, Llapi dominoi në udhëtim ndaj Vushtrria me rezultat të thellë 41:26.
Santos Kaique udhëhoqi Llapin me 10 gola, ndërsa Artir Muçiqi shtoi gjashtë. Për vendasit, Oltion Shabani, Amir Fazliu dhe Bleon Gela realizuan nga pesë gola secili.
Pas këtyre rezultateve, Rahoveci mban vendin e dytë me 40 pikë, Llapi renditet i pesti me 19 pikë, Prishtina është e shtata me 11, ndërsa Vushtrria mbetet në fund të tabelës pa pikë.























