Arsenal nuk shkëlqen por kalon në gjysmëfinale
Uran Krasniqi / RTKLive
Arsenal ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League, pas një barazimi pa gola 0-0 ndaj Sporting CP në stadiumin "Emirates".
Skuadra londineze ka kaluar tutje falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë, duke arritur kështu gjysmëfinalen për të dytin sezon radhazi.
Përkundër kualifikimit, paraqitja e Arsenal nuk ka qenë bindëse. Ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta e ka nisur mirë ndeshjen, por më pas e ka humbur ritmin, duke u dhënë hapësirë mysafirëve që të krijojnë raste të rrezikshme.
Rastin e parë serioz e ka pasur Francisco Trincao, i cili ka goditur jashtë portës nga një pozitë e mirë. Më pas, Pedro Gonçalves ka tentuar nga një kënd i vështirë, por pa sukses.
Sporting ka vazhduar të rrezikojë dhe ka qenë shumë pranë golit para pushimit, kur Geny Catamo e ka goditur shtyllën.
Nga ana tjetër, Arsenal ka pasur pak raste të pastra, duke mos arritur të detyrojë portierin Rui Silva në pritje serioze gjatë pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, mysafirët kanë vazhduar ta kërkojnë golin, ndërsa Arteta ka reaguar me ndryshime në formacion, duke futur Kai Havertz në lojë.
Rasti më i mirë për Arsenal ka ardhur në fund të ndeshjes, kur Leandro Trossard e ka goditur shtyllën pas një goditje nga këndi.
Pavarësisht vështirësive, Arsenal ka arritur ta ruajë portën e paprekur dhe të sigurojë një tjetër kualifikimin. Në gjysmëfinale skuadra angleze do të ndeshet me Atletico Madrid.























