Gjithçka gati për ‘Final 4’, LIVE në RTK
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Tashmë gjithçka është gati për turneun ‘Final 4’ në hendboll.
Garat e Kupës së Kosovës, tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe më të ‘nxehtë’.
Palestra e sporteve ‘Bill Clinton’ këtë fundjavë do të jetë arenë e “Final4” të kësaj garë joshëse në vendin tonë.
Të shtunën dhe të dielën do të luhen gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në të dy konkurrencat.
Të shtunën pasdite do të luhen ndeshjet gjysmëfinale. Prej orës 14:00 takohen Istogu e Shqiponja, në gjysmëfinalen e parë të hendbollisteve. Gjysmëfinalja tjetër në konkurrencë të femrave, mes Samadrexhës e Ferizajt, zhvillohet nga ora 18:00, sfidë që do të transmetohet në RTK4.
Ndërkohë gjysmëfinalja e parë e hendbollistëve, mes Besa Famgas e Prishtinës, zhvillohet nga ora 16:00. Vëmendja më e madhe pritet të jetë në gjysmëfinalen e dytë të hendbollistëve, mes Rahovecit dhe Kastriotit, ndeshje kjo që fillon në ora 20:00 dhe që mund ta ndiqni në RTK4.
Ndërkaq, finalet zhvillohen të dielën. Prej orës 17:15 do të luhet finalja e hendbollisteve, ndërsa prej orës 20:15 ajo e hendbollistëve. Duelet finale do të transmetohen drejtpërdrejt në RTK1.























