Drita më afër titullit, Malisheva më afër Evropës
BKT
Sport

Drita më afër titullit, Malisheva më afër Evropës

Uran Krasniqi / RTKLive

Drita ka shënuar fitore me peshë në javën e tridhjetë e një të Superligës së Kosovës në futboll, pasi ka mposhtur Prishtina me rezultat 1:0 dhe i është afruar edhe më shumë mbrojtjes së titullit kampion. Ndërsa dhe Malisheva e ka mposhtur Gjilanin e Llapi Prishtinën e Re. 

Derbi i zhvilluar të mërkurën në Gjilan është vendosur në minutën e tetëdhjetë e tretë, kur sulmuesi Blerim Krasniqi ka realizuar nga afërsia pas asistimit të Liridon Balaj.

Me këtë fitore, Drita është forcuar në vendin e parë me gjashtëdhjetë pikë, ndërsa deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe pesë xhiro.

Në anën tjetër, Malisheva ka marrë fitore të madhe ndaj Gjilanit me rezultat 3:1, duke u forcuar në pozitën e tretë me 49 pikë, vend që siguron pjesëmarrjen në kualifikimet e Conference League.

Vendasit e kanë nisur ndeshjen më mirë, me Xhemal Ibishin që ka shënuar në minutën e dytë. Në fund të pjesës së parë ka realizuar edhe Dreni Kryeziu për 2:0.

Ibishi e ka shënuar edhe golin e tretë në minutën e gjashtëdhjetë e pestë, ndërsa për Gjilanin golin e vetëm e ka realizuar kapiteni Armend Thaqi nga gjuajtja e lirë në minutën e shtatëdhjetë e dytë.

Për Malishevën kjo ka qenë fitorja e tretë radhazi, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e katërt, katër pikë larg pozitës së tretë.

Fitore bindëse ka shënuar edhe Llapi, që  e ka mposhtur skuadrën Prishtina e Re me rezultat 4:0.

Arbnor Ramadani ka realizuar për 1:0 në minutën e gjashtë. Arianit Hasani e ka shënuar golin e dytë në minutën e pesëdhjetë e tetë pas asistimit të Edon Sadriut, ndërsa vetë Sadriu ka realizuar golin e tretë shtatë minuta para fundit. Rezultatin përfundimtar e ka vulosur Fiton Ademi në minutën e nëntëdhjetë e tretë.

Prishtina e Re ka luajtur me një lojtar më pak nga minuta e pesëdhjetë e tretë pas përjashtimit me karton të kuq të Endrit Morinës.

Llapi tani ka tridhjetë e gjashtë pikë në pozitën e tetë, që dërgon në barazh, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me njëzet e tetë pikë.