Prishtina 01 fiton Kupën e Kosovës në futsall për herë të katërt rresht
BKT
Sport

Prishtina 01 fiton Kupën e Kosovës në futsall për herë të katërt rresht

Uran Krasniqi / RTKLive

FC Prishtina 01 është fituese e Kupës së Kosovës në futsall për edicionin 2025-2026.

Skuadra kryeqytetase ka triumfuar të mërkurën mbrëma në finale ndaj Liqenit me rezultat 6:3, në ndeshjen e zhvilluar në Pallati i Rinisë dhe Sportit.

Pjesa e parë e takimit është mbyllur me rezultat 4:3 në favor të “bardhekaltërve”, ndërsa edhe pjesa e dytë ka sjellë lojë interesante dhe raste të shumta.

Në fund, skuadra e drejtuar nga trajneri Haki Ahmeti ka arritur ta ruajë epërsinë dhe ta fitojë trofeun.

Për Prishtinën 01 kjo është Kupa e katërt radhazi dhe e pesta në përgjithësi, duke konfirmuar dominimin në futsallin kosovar.

Tani klubi kryeqytetas është vetëm një trofe larg barazimit të rekordit të Feniksit, skuadër që kishte fituar gjashtë Kupa të Kosovës para se të shuante aktivitetin.

Para këtij zhvillimi nuk ka qëndruar indiferent kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili i ka përgëzuar skuadrat. 

"Përgëzime të sinqerta për lojtarët, trajnerët dhe gjithë stafin e klubit kryeqytetas për këtë sukses të jashtëzakonshëm, pasi ky është trofeu i pestë në këtë garë, një arritje që flet qartë për dominimin dhe vazhdimësinë e tyre në futsallin kosovar. Pa dyshim ky sukses vjen si rezultat i punës së madhe, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm brenda klubit. Respekt dhe vlerësim edhe për FC Liqenin për paraqitjen dinjitoze dhe lojën e fortë deri në fund", ka shkruar ai. "Kjo finale ishte një tjetër dëshmi e nivelit në rritje të futsallit në Kosovë, për çka e përgëzoj edhe Komisionin e Futsallit për organizimin e mirë dhe për punën e vazhdueshme në ngritjen e këtij sporti në vendin tonë".