Liga e Evropës, Nottingham – Aston Villa drejtpërdrejt në RTK nga ora 21:00
BKT
Foto: AP
Sport

Liga e Evropës, Nottingham – Aston Villa drejtpërdrejt në RTK nga ora 21:00

Sh.Çoçaj/RTKlive

Sonte nga ora 21:00, në transmetim të drejtpërdrejt në RTK, zhvillohet një nga përballjet më interesante të fazës gjysmëfinale të Ligës së Evropës, ku Nottingham Forest dhe Aston Villa përballen në një duel tërësisht anglez.

Të dy skuadrat kanë arritur në këtë fazë pas paraqitjeve bindëse në çerekfinale. Nottingham Forest eliminoi Porton, ndërsa Aston Villa siguroi kualifikimin ndaj Bolognës.

Në gjysmëfinalen tjetër të garës, Braga do të përballet me Freiburgun. Skuadra portugeze kaloi Betisin, ndërsa Freiburg u tregua më i fortë se Celta Vigo.

Ndeshjet e para gjysmëfinale të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të UEFA-s luhen të enjten mbrëma, me fillim nga ora 21:00.

Të dy klubet angleze kanë histori të pasur në garat evropiane, duke qenë ish-kampionë të kontinentit, ndërsa tani synojnë të rikthehen në majat e futbollit evropian.

Në kampionat vendas, Aston Villa ka bilanc më të mirë ndaj Nottingham Forest, me 64 fitore kundrejt 40 të Forestit, ndërsa 32 ndeshje kanë përfunduar baras.

Finalja e Ligës së Evropës do të zhvillohet më 20 maj në Stamboll, në stadiumin e Besiktasit.