Minnesota surprizën ‘Spurs’, ‘Knicks’ shkatërrojnë 76ers
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Seritë e play-off-it në NBA kanë nisur me rezultate befasuese dhe spektakël në parket.
Në San Antonio, Minnesota Timberwolves morën një fitore të rëndësishme ndaj San Antonio Spurs me rezultatin 104-102, duke kaluar në avantazh në seri. Ndeshja ishte tepër e luftuar dhe u vendos në momentet e fundit, ndërsa rikthimi i Anthony Edwards rezultoi vendimtar për skuadrën nga Mineapolisi.
Nga ana tjetër, mbrëmja ishte për t’u harruar për yllin e Spurs, Victor Wembanyama, i cili realizoi vetëm 11 pikë. Në sekondat e fundit, Julian Champagnie pati mundësinë për t’i dhënë fitoren vendasve, por dështoi në tentativën për tre pikë me rënien e sirenës.
Në përballjen tjetër, New York Knicks dominuan bindshëm Philadelphia 76ers me rezultatin e thellë 137-98 në “Madison Square Garden”.
Skuadra nga New York u shfaq në formë të shkëlqyer, duke vazhduar ritmin pozitiv. Protagonist absolut ishte Jalen Brunson me 35 pikë, ndërsa OG Anunoby kontribuoi me 18 pikë.
Në krahun tjetër, Tyrese Maxey (13 pikë) dhe Joel Embiid (14 pikë) zhgënjyen, duke mos arritur të përsërisin paraqitjet e forta të serisë së mëparshme ndaj Boston Celtics.























