Carragher: Të gjithë të zhgënjyer pas hapit të gabuar të City-t
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Manchester City ka pësuar një goditje të madhe në garën për titull në Premier League, pas barazimit 3-3 ndaj Everton në ndeshjen e zhvilluar të hënën në “Hill Dickinson Stadium”.
Ky rezultat ka rihapur ndjeshëm garën për titull, duke i dhënë avantazh Arsenal, të cilët tashmë kanë në dorë mundësinë që me tri fitore në tri ndeshjet e fundit të sigurojnë titullin e parë që nga viti 2004.
Sipas ish-mbrojtësit të Liverpool dhe analistit të “Sky Sports”, Jamie Carragher, ky rezultat ka ndikuar në emocionet e garës, duke krijuar zhgënjim të përgjithshëm në kampin e të gjitha skuadrave të përfshira.
Carragher ka vlerësuar se ky barazim mund të rezultojë vendimtar në fund të sezonit, duke theksuar se situata ka lënë të gjitha palët të pakënaqura, pasi City humbi një mundësi të artë për t’u rikthyer fuqishëm në garë, ndërsa Arsenal nuk e ka ende të siguruar matematikisht titullin.
“Ne nuk e dimë nëse kjo pikë do të jetë vendimtare në fund të sezonit. Por duket sikur të gjithë janë të zhgënjyer,” deklaroi Carragher.
Me vetëm disa ndeshje të mbetura, presioni mbi Cityn është maksimal, ndërsa çdo gabim i mëtejshëm mund të rezultojë vendimtar në garën për kampionatin anglez.























