Bayern-PSG do të jetë një përballje zjarrtë, thonë analistët e RTK-së
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Gjithçka është gati për një tjetër përballje të madhe në Ligën e Kampionëve, ku Bayern Munich do të presë Paris Saint-Germain në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1.
Pas humbjes 5-4 në takimin e parë – një ndeshje që u cilësua si një ndër më spektakolaret e viteve të fundit – bavarezët synojnë përmbysjen përpara tifozëve të tyre, në një duel që pritet të vendoset nga detajet.
Analistët e RTK-së, Rafet Prekazi dhe Muhamet Dragusha, vlerësojnë se përballja mes dy gjigantëve evropianë do të jetë e fortë dhe dramatike.
Prekazi thekson cilësinë e lartë të të dy skuadrave, duke veçuar punën e trajnerit të PSG-së, Luis Enrique.
Sipas tij, PSG paraqet një ekip me ide të qarta loje dhe ambicie serioze për të fituar trofeun më të madh evropian.
Ai shton se të dyja skuadrat janë të kompletuara si në aspektin teknik ashtu edhe fizik, me lojtarë që dinë të kontrollojnë ritmin dhe të dominojnë ndeshjen, çka paralajmëron një duel të hapur dhe me intensitet të lartë.
“Një trajner shumë inteligjent dhe me lojën që po tregon PSG kërkohet të fitohet Championsi. Një trajner i cili ka shumë kualitete, që është më rëndësi që fiton trofe dhe që bëjnë lojë shumë të mirë. Enrique është një top-trajner”, ka thënë Prekazi.
“Bëhet fjalë për një ndeshje ku takohen dy ekipet më të mira në Evropë. Këto dy ekipe teknikisht dhe fizikisht janë shumë të mirë, janë lojtarë që dinë të lexojnë lojën nga të dy skuadrat. Janë dy ekipe që synojnë të kontrollojnë lojën dhe dy ekipe që synojnë të dominojnë lojën. Presim një lojë të zjarrtë”, theksoi ai.
Në të njëjtën linjë është edhe Muahmet Dragusha, i cili nënvizon presionin e madh që sjell një gjysmëfinale e këtij niveli.
Ai vlerëson paraqitjen e të dy ekipeve në ndeshjen e parë, duke shtuar se gabimet e asaj sfide pritet të korrigjohen në përballjen e kthimit.
Sipas tij, ndeshja e sotme pritet të jetë spektakolare, ndonëse jo domosdoshmërisht me të njëjtin numër golash si në takimin e parë, por me nivel të lartë loje dhe rivalitet të fortë.
“Vet fjala gjysmëfinale tregon se ka presion të madh tek të gjithët. Gjithsesi çdo njëri hyn mi krye detyrat e veta. Gjithsesi duhet dhënë merita trajnerëve dhe lojtarëve që treguan qysh në ndeshjen e parë. Presioni ekziston tek dy skuadrat, sepse në ndeshjen e parë pamë ndryshime të mëdha në rezultat”, tha Dragusha.
“Mendoj se edhe sonte do të shohim një ndeshje spektakolare, ndoshta jo më ato gola të ndeshjes së parë. Mendoj se gabimet e të dy skuadrave të shfaqura në ndeshjen e parë, nuk do të përsëritën në duelin e dytë. Jam i bindur se do të shohim një ndeshje të madhe”, pohoi Dragusha.
Ndeshja ndërmjet Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain nis në orën 21:00.























