Super Barcelona kampione e Spanjës, mposht Realin në ‘El Clasico’
Fatmir Bytyqi/RTKLive
(E përditësuar, 23:05) Barcelona ka siguruar titullin e 29-të në LaLiga pas fitores 2-0 ndaj rivalëve të përjetshëm Real Madrid, në një “El Clasico” që vulosi matematikisht kampionatin dhe solli festë të madhe në “Camp Nou”.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të veçantë dhe emocionale për trajnerin Hansi Flick, i cili përjetoi një ditë të vështirë pas ndarjes nga jeta të babait të tij vetëm disa orë para sfidës vendimtare.
Barcelona e nisi fuqishëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 9-të, kur Marcus Rashford realizoi një goditje të bukur nga gjuajtja e lirë. Vetëm në minutën e 18-të, Ferran Torres dyfishoi avantazhin pas një asistimi të Dani Olmos, duke vendosur bazat e fitores.
Real Madrid tentoi të reagojë, por rastet e Gonzalo Garcia dhe Jude Bellingham nuk u konkretizuan, ndërsa portieri Thibaut Courtois mbajti gjallë shpresat me disa pritje vendimtare. Megjithatë, katalanasit kontrolluan lojën deri në fund dhe e mbyllën ndeshjen me siguri.
Skuadra e Flick tashmë ka krijuar një epërsi të thellë në krye të tabelës dhe ka mundësi të thyejë edhe rekordin historik të diferencës më të madhe të pikëve në LaLiga.
Në anën tjetër, kjo humbje e lë Real Madridin pa trofe në këtë sezon, një situatë e rrallë për klubin madrilen në dekadën e fundit.
Barcelona dyfishon epërsinë ndaj Realit, realizon Torres
(E përditësuar, 21:25) Barcelona ka dyfishuar avantazhin ndaj Real Madridit në 2-0.
Katalonasit dhe madrilenët po luajnë në ‘Camp Nou’, në kryesfidën e sezonit në elitën e futbollit spanjoll.
Është Ferran Torres (19’), i cili realizoi pas një aksion mjaft të mirë te ‘Blaugranave’.
Ndizet ‘Camp Nou’, shënon Rashford

(E përditësuar, 21:18) Barcelona ka kaluar në epërsi ndaj Real Madridit prej 1-0.
Katalonasit dhe madrielënt po luajnë në ‘Camp Nou’, në kryesfidën e sezonit në elitën e futbollit spanjoll.
Ishte Marcus Rashford (9’), i cili më një supergol zhbllokon lojën dhe kalon në avantazh Barcelonën.
Nis ‘El Clasico’, a do të shpallet Barcelona kampione?
Ka nisur një nga përballjet më të mëdha në futbollin botëror, teksa Barcelona dhe Real Madrid përballen në “El Clasicon” që po luhet në ‘Camp Nou’.
Sfida e sontëm ka peshë të jashtëzakonshme për Barcelonën, pasi katalanasit mund ta sigurojnë matematikisht titullin kampion me një fitore ndaj rivalit të përjetshëm. Një triumf eventual do t’ia sillte klubit blaugrana titullin e 29-të në histori.
Në anën tjetër, Real Madridi synon të prishë festën e Barcelonës dhe të konfirmojë forcën në sfidën që tradicionalisht mbledh vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.
Edhe statistikat dëshmojnë rivalitetin e jashtëzakonshëm mes dy skuadrave. Në historinë e “El Clasicos”, Real Madridi ka regjistruar 106 fitore, Barcelona 105, ndërsa 52 ndeshje kanë përfunduar pa fitues.























