Trepça mposht sërish Bashkimin në `Minatori`
Uran Krasniqi / RTKLive
Trepça ka shënuar edhe fitoren e dytë në serinë finale të "play off" të Superligës së Kosovës në basketboll, pasi e ka mposhtur Bashkimin me rezultat 93:83 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Ndeshja është zhvilluar në një atmosferë të jashtëzakonshme, me mbi 3000 tifozë të pranishëm në palestër.
Trepça tani udhëheq 2:0 në serinë finale, pasi edhe ndeshjen e parë e kishte fituar me rezultat 94:79. Dy sfidat e ardhshme do të luhen në Prizren, në palestrën “Sezai Surroi”, ndërsa dueli i tretë zhvillohet të dielën nga ora 19:30.
Mitrovicasit e kanë fituar çerekun e parë 23:20, por Bashkimi ka reaguar në periudhën e dytë dhe ka kaluar në epërsi 27:23. Megjithatë, në minutat e fundit të pjesës së parë, skuadra e drejtuar nga trajneri Adis Beqiragic ka krijuar shkëputje dhe ka shkuar në pushim me epërsi 53:40.
Në çerekun e tretë, Bashkimi i trajnerit malazias Igor Jovovic e ka ngushtuar rezultatin në 57:54, por Trepça ka reaguar sërish me mbrojtje të fortë dhe sulm efikas për të hyrë në periudhën e fundit me rezultat 70:62.
Një minutë pa përfunduar ndeshja, rezultati ka qenë 88:83, por Bashkimi nuk ka arritur të shënojë më deri në fund. Kenneth Hasbrouck dhe Akili Vining realizuan pikët vendimtare për fitoren e mitrovicasve.
Akili Vining ka qenë lojtari më i dalluar te Trepça me njëzet e gjashtë pikë, tri kërcime dhe një asistim, ndërsa Kenneth Hasbrouck ka shtuar tetëmbëdhjetë pikë, katër kërcime dhe tri asistime.
Te Bashkimi, Shanon Shorter ka realizuar njëzet pikë, por ka pësuar lëndim në fund të takimit dhe është larguar nga parketi. Jalen Riley ka shtuar njëzet e dy pikë, megjithëse ka pasur edhe shumë gjuajtje të pasakta.
Për të mbetur në garë për titullin, Bashkimit i duhet t’i fitojë dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi. Klubi prizrenas e ka fituar vetëm një herë titullin kampion, në vitin 2018, ndërsa Trepça synon titullin e shtatë.























