RTK sjell finalen Freiburg–Aston Villa sonte në orën 21:00
BKT
Sport

RTK sjell finalen Freiburg–Aston Villa sonte në orën 21:00

Sh.Çoçaj/RTKlive

Finalja e Ligës së Evropës që zhvillohet sonte në Stamboll pritet të sjellë një duel historik mes Freiburg-ut dhe Aston Villa-s, dy skuadra që synojnë të shkruajnë kapitullin më të madh në historinë e tyre moderne. Ndeshja finale do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK nga ora 21:00.

Skuadra gjermane Freiburg është vetëm një hap larg trofeut të parë të madh në histori dhe kualifikimit të parë në Ligën e Kampionëve. Për klubin nga Gjermania, kjo është finalja më e rëndësishme ndonjëherë, pas humbjes dramatike në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj RB Leipzig në vitin 2022.

Nën drejtimin e trajnerit Julian Schuster, Freiburg po kalon periudhën më të suksesshme në histori. Ish-mesfushori i klubit mori drejtimin e ekipit në vitin 2024 pas largimit të legjendës Christian Streich dhe menjëherë arriti ta dërgojë skuadrën në finalen evropiane.

Kapiteni Christian Günter e cilësoi përballjen ndaj Aston Villa si ndeshjen më të madhe në historinë e klubit.

“Shpresojmë ta ngremë kupën në fund. Për vite të tëra më thoshin të largohesha te një klub më i madh nëse doja trofe apo futboll evropian, por ne e dëshmuam të kundërtën”, deklaroi ai.

Edhe mbrojtësi Matthias Ginter, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, vlerësoi forcën kolektive të skuadrës.

“Ndoshta nuk kemi yjet më të mëdhenj, por funksionojmë në mënyrë perfekte si ekip. Kjo është forca jonë”, tha Ginter.

Në anën tjetër, Aston Villa synon trofeun e parë të madh pas tri dekadash dhe rikthimin në majën e futbollit evropian. Klubi anglez kërkon të përsërisë suksesin historik të vitit 1982, kur kishte fituar Kupën e Evropës ndaj Bayern Munich.

Meritat më të mëdha për ringritjen e klubit i atribuohen trajnerit spanjoll Unai Emery, fitues katër herë i Ligës së Evropës. Që nga ardhja e tij në vitin 2022, Villa është kthyer në një nga skuadrat më konkurruese në Angli dhe Evropë.

Sulmuesi Ollie Watkins tha se frymëzohet nga legjendat e klubit, veçanërisht nga Peter Withe, autor i golit të triumfit historik të vitit 1982.

“Është fantastike ta kemi pranë skuadrës. Ai është një legjendë e klubit”, u shpreh Watkins.

Aston Villa konsiderohet favorite në finalen që zhvillohet në stadiumin Beshiktash Park, por Freiburg beson se mund të shkruajë historinë dhe ta kurorëzojë sezonin me trofeun më të madh të klubit.