Martinez luajti me gisht të thyer në finalen e fituar nga Aston Villa
BKT
Sport

Martinez luajti me gisht të thyer në finalen e fituar nga Aston Villa

Uran Krasniqi / RTKLive

Portieri argjentinas Emiliano Martinez ka treguar se ka luajtur me gisht të thyer në finalen e Europa League, ku Aston Villa ka triumfuar 3:0 ndaj Freiburg, duke fituar trofeun evropian pas plot tridhjetë vitesh.

Tridhjetë e tre vjeçari ka pësuar lëndimin gjatë një seance para ndeshjes, por kishte vendosur të mos largohej nga fusha, pavarësisht rrezikut që ta përkeqësonte lëndimin vetëm pak javë para nisjes së mbrojtjes së titullit të Argjentinës në Kupën e Botës.

Martinez i ka bërë dy pritje gjatë finales dhe e ka ndihmuar skuadrën angleze ta sigurojë trofeun e parë të madh evropian që nga viti 1982, si dhe trofeun e parë të rëndësishëm në përgjithësi që nga Kupa e Ligës në vitin 1996.

“E theva gishtin, por nuk e pashë si diçka të keqe”, ka thënë Martinez pas ndeshjes, duke qeshur me situatën. “Nuk e kam thyer kurrë më parë një gisht dhe sa herë provoja ta kapja topin, gishti më shkonte në drejtim tjetër. Por këto janë gjëra që duhet t’i kalosh”, ka shtuar ai.

Martinez, i cili ishte bërë hero i Argjentinës në triumfin e Kupës së Botës në Katar më 2022, është pjesë e Aston Villa që nga viti 2020 dhe ka zhvilluar mbi 250 ndeshje me klubin anglez.

“Sa herë që dal për ta mbrojtur portën e Aston Villa, e bëj me krenari të madhe”, ka deklaruar portieri argjentinas. “Sot u përpoqa ta jap gjithë përvojën time dhe gjithë ato stërvitje që askush nuk i sheh. Në fund, gjithçka dha rezultat”.